Editorial / A po tentojnë Ish-politikanët, Cërvenkovski dhe Zaev ti shesin mend BE-së!

Shkup, 20 qershor – Dalja në skenë e ish presidentit Branko Crvenkovski me të drejtë ka ngjallur dyshime se a po planifikohet një kthim i tij në skenën politike! Heshtja e tij e gjatë kishte bërë që të dukej se ai është tërësisht jashtë ujërave politike, por duket se kryetari aktual Kovaçevski ka pastruar të gjithë stafin e mëparshëm të Crvenkovskit dhe Zaevit brenda partisë dhe qeverisë, e në këtë formë ua ka ngushtuar rrethin ish-funksionarëve që vinin nga kjo parti.

Deri më tani herë pas herë kishte shprehur pakënaqësi ish-kryetari i partisë dhe ish-kryeministër Zoran Zaev, por nuk ishte dëgjuar deri më tani ish-presidenti Crvenkovski. Megjithatë prognozat e tij se çfarë duhet të bëjë shteti për integrimet dhe çështjen e bullgarëve dhe çfarë ka bërë Maqedonia në këtë rrugët, ka bërë që të lindin dyshimet se vallë Cervenkovski a po dëshiron të kthehet në pushtet, shkruan “Zhurnal.mk”.

Por çfarë tha dje para mediave Crvenkovski!

“Aty ku ishim vitin e kaluar, tani jemi pa progres të dukshëm dhe serioz. Kjo nuk vlen vetëm për Maqedoninë, por edhe për vendet e tjera të rajonit. Përjashtim mund të bëjë vetëm Shqipëria, për të cilën është marrë vendimi për fillimin e negociatave. I hapëm, por negociatat nuk i nisëm. Siç janë gjërat, është e vështirë të parashikohet se kur do të ndodhë kjo”, tha ish-kryeministri Branko Crvenkovski.

Crvenkovski, i cili është gjithashtu një ish-kryetar shteti, është pesimist rreth zgjerimit të BE-së.

“Kujtojmë se për shkak të metodologjisë së re për zhvillimin e negociatave të propozuar nga Franca, e jo për shkak të vetos bullgare, në tetor 2019, përkundër rekomandimit pozitiv të KE-së, Maqedonia nuk i filloi negociatat me BE-në. Në këto 3 vite as Serbia dhe as Mali i Zi nuk bënë një hap të dukshëm përpara në procesin e negociatave. Faktet thonë se integrimet e të gjithë rajonit janë në ngërç me hapa të vegjël herë pas here. Për mendimin tim, aktualisht nuk ka vend për një optimizëm më të madh as në vitet e ardhshme. Në BE, veçanërisht te anëtarët e vjetër, qëndrimi po forcohet: fillimisht reforma e BE-së, e më pas zgjerimi”, tha ndër të tjera Crvenkovski.

Ai gjithashtu tha nevojitet strategji e re për integrime evropiane, rajoni duhet të kërkojë nga Brukseli qasje në tregun e përbashkët dhe fondet evropiane.

“Ne, vendet kandidate për anëtarësim, t’i ndihmojmë BE-së që të përcaktojë një strategji më të qartë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe procesit të integrimit të tij. Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast që para jush, por edhe para publikut, ta promovoj një ide për një iniciativë të tillë që për mendimin tim, meriton vëmendje.

Kryediplomati i vendit, Bujar Osmani ka kohë që në paraqitjet publike dhe takimet me ndërkombëtarët forcon idenë e integrimit para anëtarësimit. Ministri Osmani edhe në PFD 2023, përsëriti qëndrimin e tij rreth integrimit në BE dhe metodologjinë e re.

Pakënaqësitë brenda LSDM-së dhe tentimi për hakmarrje!

Crvenkovski me deklaratat e dhënë në debatin e organizuar nga Këshilli i ish-ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut drejtpërsëdrejti i ka çuar porosi Kovaçevskit se është e kotë ajo që po bën! Në një formë, ai tha se edhe përkundër përpjekjeve që të bëjë ndryshimet kushtetuese, nuk do t’ia arrijë sepse VMRO DPMNE nuk do të votojë këto ndryshime. Gjithashtu alarmi ishte se edhe përkundër mbështetjes së ndërkombëtarëve, sërish LSDM dhe BDI, nuk do të arrijnë të bëjnë ndonjë përparim më të madh. Andaj, duket se me këto mesazh Crvenkovski i thotë që është koha të largohet Kovaçevski!

Në të vërtetë, me marrjen e qeverisë nga kryeministri aktual si dhe me marrjen e partisë nga ana e tij, duket se ai ka lëvizur shumë “gurë të shahut” duke i larguar klanet e vjetra që ishin njëri krah i Zaevit dhe tjetri i Crvenkovskit. Një ndër figurat më të njohura të LSDM-së e që ishte Radmilla Shekerinska, u largua nga pozita e ministres së mbrojtës, ndërsa edhe shumë ndryshime të kuadrove të tjerë nga qyteti i Shkupit u zëvendësuan me arsyetimin se nuk i fituan zgjedhjet e fundit në nivel lokal. Në të njëjtën frymë, Kovaçevski i zëvendësoi edhe shumë njerëz të Zaevit, në mesin e të cilëve edhe ish-ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe. Këto ishin alarm brenda ish-funksionarëve elitë të LSDM-së se Kovaçevski ka marrë “fshesën” dhe po pastron njerëzit besnik të ish-kryetarëve të partisë. Deklaratat e koordinuara njëherë nga Zaev e më vonë edhe nga Crvekonvski, që tërthorazi godasin Kovaçevskin, e kanë qëllimin e njëjtë se ose do të duhet bashkim i LSDM-së, ose është koha që Kovaçevski të largohet!

Por, dilema shtrohet se a është koha e duhur për rikthim të ish-politikanëve si tipi i Crvenkovskit dhe Zaevit!

Sa i përket historisë së Zaevit, ai duket se e bëri pjesën e tij, dhe do të mbahet mend si kryeministri që pati guximin të ndryshojë emrin dhe të anëtarësojë Maqedoninë e Veriut në NATO, prandaj Zaev vetëm se mund të ndihmojë që Kovaçevski të zgjidhë problemin me ndryshimet Kushtetuese dhe jo të rëndojë edhe më së shumti këtë proces!

Ndërkaq, nëse analizohet historia dhe modeli i një politikani si Crvenkovski, atëherë duket qartë se ky lloj modeli i politikanëve është i vjetërsuar. Crvenkovski e kishte mundësinë për më shumë se dy dekada të zgjidhte çështjen e emrit me Greqinë dhe të mbyllë problemet me Bullgarinë e Serbinë, por këtë nuk e bëri dhe e la pengë këtë shtet në rrugën e saj eurointegruese. Në historinë e tij, ai njihet si kryeministri që bëri privatizimin më të keq të mundshëm, duke i pasuruar ish-miqtë e tij dhe duke krijuar oligarkë me pasurinë publike të shtetit. Në rrafshin etnik, ai ishte shkatërruesi i marrëdhënieve ndëretnike, duke e krijuar rastin e Bit Pazarit, Gostivarit, të Univerzitetit të Tetovës kur gjithçka që ishte kërkesë shqiptare atij i dukej e tepërt dhe mundohej me dhunë e frikë ta shuante. Andaj edhe kërkesa e tij që të dalë sërish në skenën politike duket e dalë jashtë mode. Fatkeqësia është se në paraqitjen e tij ai tentoi të dukej si i moderuar në mesin e ish-ambasadorëve ku kishte edhe shumë shqiptarë!

Nëse Crvenkovski dhe gjithë ish-struktura e vjetër e LSDM-së ia duan me të vërtetë të mirën Maqedonisë së Veriut, siç edhe pretendojnë me daljet e tyre publike, duke dhënë këshilla e herë – herë “thika pas shpine”, atëherë duhet që të mbështesin këtë qeveri që deri në zgjedhjet e ardhshme të bëhen ndryshimet kushtetuese, në të kundërtën do të humbim edhe 30 vite tjera kohë duke i “shitur mend” BE-së se si të na integrojë e si të na hapë shtigje të reja!