Editorial: A do të shkrijë vapa e madhe “akullin” e Edi Ramës për Vuçiqin, ose do të ngritë “temperaturat” e Ballkanit deri në pikën e vlimit?
Prishtinë/Tiranë, 20 qershor – Kryeministri Edi Rama ka bërë një paralajmërim se do të ngrijë marrëdhëniet me Serbinë, nëse nuk lirohen 3 policët shqiptarë të Kosovës.
Rama me anë të një postimi në Twitter ka shkruar se nëse nuk lirohen policët e Kosovës të arrestuar nga Serbia, kjo javë mund të rikthejë “akullin” me Serbinë.
Kreu i qeverisë thotë se nëse de-eskalimi nuk ndodh, e humbura e madhe do të jetë Kosova. Ai madje i bën thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti duke thënë: “Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, shkruan Zhurnal.
Postimi i plotë i Edi Ramës:
Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!
Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës!
E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”
Kujtojmë që tre policë të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe në veri, 6 ditë më parë. Kosova pretendon se ata ishin brenda kufirit, ndërsa Serbia hedh akuza se ata kishin hyrë në Serbi të armatosur.
Edhe pse tensionet mes dy shteteve janë të larta, Kosova dhe Serbia nuk pranojnë të bisedojnë. Kujtojmë që zyrtarët e BE kanë thirrue në takim në Bruksel Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç, por si duket taksimi mes palëve nuk do të zhvillohet. Vuçiç tha se nuk do të jetë pjesë e këtij takimi, ndërsa Kurti nuk dha një përgjigje për pjesëmarrjen duke thënë se do ta jepte gjatë javës.
Kthesa e Ramës nën presionin e opinionit mbarëshqiptar
Ky qëndrim duket si një kthesë ashpërsimi të qëndrimit të Edi Ramës kundrejt presidentit serb Aleksandar Vuçiq, lidhur me zhvillimet e fundit në Veriun e Kosovës, sado që me kritika të ashpra shigjeton edhe njëherë kryeministrin Kosovar, Albin Kurti, shkruan Zhurnal.
Por dyshimet në sinqeritetin e tij janë paraqitur sapo postimi i Edi ramës ka marë dhenë. Ndër të parët, ka reaguar shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, e cila me dozë ironie i është përgjigjur Ramës.
Ajo i ka propozuar kryeministrit shqiptar Edi Rama që ta mbyllë “Ballkanin e Hapur”, pas tensioneve në rritje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Më mirë mbylleni “Ballkanin e hapur” dhe do shihni si do të ngrihen fqinjët verior nga fryma e jugut. Kidnapimi & mbajtja e policëve është arsyeja e kahmotshme pse kufijtë e hapur me këtë Serbi nuk bëjnë”, ka shkruar shefja e deputetëve të VV-së.
Sidoqoftë, nëse bëhet fjalë për kthesë të sinqertë, ajo me siguri vjen nën presionin e opinionin mbarëshqiptar në Ballkan dhe më gjerë, që kryeministri i Shqipërisë të jetë më solidar në këto momente me Kosovën, lidhur me zhvillimet në Veri, sado që Tirana zyrtare arsyetohej se qëndrimin e saj e ka me patjetër ta koordinojë me NATO-n, si vend anëtar, shkruan Zhurnal.
Por si do të reflektojë një kthesë e tillë në zhvillmet e përgjithshme në Ballkan? Sdo mend se mund t’i ngrisë “temperaturat” në Ballkan deri në pikën e vlimit. Kosova do të jetë më e inkurajuar për t’i dhënë një herë e përgjithmonë obstruksioneve të padurueshme serbe, sado që serbët po radikalizojnë qëndrimet e tyre.
Drejtësia pa dyshim është në anën e palës kosovare, por qëndrimi i Tiranës zyrtare dhe opozitës në Prishtinë, sikur krijonte përshtypje tek faktori ndërkombëtar, se pala kosovare është më e gatshme për të bë ëshime dhe ndoshta për këtë arsye presioni ishte i fokusuar tek pala që mbronte rendin dhe qetësinë, tek pala që ruante sovranitetin e vendit, e jo tek pala që shkelte rendin e qetësinë, duke mos kursyer as ushtarët e KFOR-it, e as gazetarët.
Vazhdojnë përpjekjet e NATO-s dhe BE-së, bashkangjitet edhe OSBE
Përpjekjet e NATO-s dhe BE-së për të qetësuar situatën kanë qenë të vazhdueshme, si edhe apelet e pandërprera të tyre që situata të mos eskalojë.
Apele të këtillë vazhdimisht ka pasur edhe nga OSBE, kurse kryesuesi i saj Bujar Osmani, sot ka theksuar që nevojitet t’i përmbahemi Udhërrëfyesit të bashkësisë ndërkombëtare për qetësim të situatës, me përkujtim se Forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR) kanë detyrë të mundësojnë gjendje të qetë dhe të sigurtë në komunat veriore të Kosovës, shkruan Zhurnal.
“Në cilësi të ministrit të Punëve të Jashtme dhe kryesuesit të OSBE-së, bisedova me shefat e diplomacive të Serbisë dhe Kosovës. E përsërita thirrjen time për qetësim urgjent në komunat veriore në Kosovë”, u shpreh Osmani.
Sipas tij, me rëndësi kyçe është që Serbia të mundësojë qasje urgjente deri te policët e arrestuar dhe t’i lirojë.
“Është kyçe që të gjitha palët të punojnë për paqe dhe unë u bëra thirrje ta bëjnë atë! OSBE-ja ofroi dhe është e gatshme të ndihmojë në pajtim me nevojat”, shtoi Osmani. /Zhurnal
(Editorial i përgatitur nga ekipi ynë në Prishtinë)

