Analizë/ Çfarë janë politikat e përgjegjshme gjinore dhe si ndikojnë në zhvillimin rural?

Shkup, 16 qershor – Në vitet e fundit, në shumë vende të botës janë ndërmarrë iniciativa të buxhetimit gjinor, të udhëhequra nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë, dhe kryesisht nga organizata ndërkombëtare si Enti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women). Disa ekspertë të reformës buxhetore e kanë përshkruar buxhetimin e përgjigjshëm gjinor thjesht si “buxhetim i mirë” dhe e vënë theksin tek përfitimet pozitive ekstra që mund të sjellë një qasje e tillë. Ekspertë të tjerë pranojnë se është “buxheti ku objektivat e politikave harmonizohen dhe zbatohen në mënyrë konkrete, duke realizuar kështu prioritetet ekonomike dhe politike të një vendi. Edhe në Maqedoninë e Veriut është mbajtur ngjarja përfundimtare e projektit “Drejt politikave dhe buxheteve të përgjegjshme gjinore në bujqësi dhe zhvillimin rural”. Qëllimi i të cilit është të mbështesë zhvillimin dhe planifikimin e politikave të zhvillimit bujqësor dhe rural në vend, si dhe të kontribuojë në fuqizimin afatgjatë të grave në bujqësi nëpërmjet hartimit të politikave të përgjegjshme ndaj gjinisë. Kujtojmë që, edhe sektori i bujqësisë në vendin tonë është goditur rëndë nga shkruan Zhurnal.

Politika të përgjegjshme gjinore dhe zhvillim rural në RMV-

Këndvështrimi gjinor duhet të reflektohet në ndarjen e burimeve dhe nëse nuk realizohet, ka shumë gjasa që rezultatet e politikave dhe programeve apo shërbimeve të mos arrihen. Buxhetet duhet të shikohen si mjete kritike për integrimin e këndvështrimit gjinor në proceset e zbatimit të politikave. Për më tej, buxhetimi gjinor është një mënyrë efikase për gratë dhe vajzat për tu përfshirë plotësisht në diskutimet dhe debatet mbi ndarjen e burimeve qe mund te sjellin si rezultat fuqizimin e tyre dhe rritjen e përgjigjes së politikave ndaj nevojave të tyre.

 Së fundi, praktika e buxhetimit gjinor mund të nxisë pjesëmarrjen qytetare dhe transparencën në qeverisjen e mirë. Në thelb të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor është përgjigja ndaj nevojave të marrësve të shërbimeve publike. Matja e shkallës me të cilën shërbimet publike të parashikuara nga buxheti i shtetit i përmbushin nevojat e grave dhe burrave për të cilët janë hartuar, përbën hapin e parë drejt nivelit ku buxheti do të ishte i ndjeshëm ndaj çështjeve gjinore.

E kjo gjë ka filluar të praktikohet edhe në Maqedoninë e Veriut, ku Fakulteti i Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit (FSHBU), i mbështetur nga UN Women, ka organizuar ngjarje përfundimtare për projektin “Drejt politikave dhe buxheteve të përgjegjshme gjinore në bujqësi dhe zhvillimin rural”.

Në këtë ngjarje janë prezantuar gjetjet e hulumtimit dhe rekomandimet nga projekti, qëllimi i të cilit është të mbështesë zhvillimin dhe planifikimin e politikave të zhvillimit bujqësor dhe rural në vend, si dhe të kontribuojë në fuqizimin afatgjatë të grave në bujqësi nëpërmjet hartimit të politikave të përgjegjshme ndaj gjinisë.

“Ngjarja ka synuar të inkurajojë shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërmjet palëve të interesuara dhe politikëbërësve, të hapë mundësi të reja për bashkëpunim të zgjeruar dhe të inkurajojë ndërhyrjet e ardhshme për fuqizimin e grave në sektorin e bujqësisë. Janë prezantuar gjetjet e hulumtimit dhe rekomandimet e dala nga rezultatet e bazuara në provat e marra nga aplikimi i metodologjisë së duhur për llogaritjen e Indeksit të Fuqizimit të Grave në bujqësi, rreziku dhe preferencat kohore të grave në bujqësi (eksperiment ekonomik), analiza gjinore e programet dhe masat në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit rural dhe efekti i masës 115 në fuqizimin e grave në sektorin e bujqësisë”, thuhet në njoftim.

Fjalimet hyrëse janë mbajtur nga dekani i FSHBU-së, Vjekoslav Tanaskoviq, ambasadorja e Zvicrës Veronik Ulman Marti, ambasadorja e Suedisë Ami Larson Jain dhe shefja e Zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut Vesna Ivanoviq-Kastared, si dhe janë paralajmëruar fjalime nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonimisë së Ujërave Ljupço Nikolovski, si dhe zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale Enver Husejin.

Sektori i bujqësisë është përballur rëndë me krizën ekonomike-

Sektori i bujqësisë është njëri ndër sektorët më pak të pëlqyer nga të rinjtë, pothuajse askush prej tyre nuk dëshiron të merret me punë bujqësore, kjo përshtypje e krijuar nuk ka ardhur vetvetiu por si rezultat i asaj që kanë parë nga paraardhësit e tyre se sa pak produktive është kjo punë, shumë angazhim e shumë pak të ardhura. Pra, shtetit tonë i mungojnë politikat stimuluese për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, që në situata të tilla si kjo e luftës në Ukrainë vendi përballet me deficit të madh të produkteve të ndryshme ushqimore.

Këtë e kanë pohuar edhe autoritetet të cilat kanë treguar se po përballemi me krizën më të vështirë deri tani, por vazhdimisht apeluan qytetarët që të mos shqetësohen dhe siguruan se produktet bazë, bukë, miell, qumësht dhe vaj ulliri, do të ketë. Miratuan Plan Kombëtar për prodhimin e ushqimit dhe e krijuan Fondin intervenues. U realizua paketë masash për uljen e çmimeve të produkteve bazë, si dhe për stimulimin e prodhimit. Edhe përkundër faktit të krijimit të paketës për uljen e çmimeve të produkteve bazë, sërish dhe ende çmimet janë tejmase të larta dhe qytetarët janë jashtëzakonisht të pakënaqur.

Nga 1 dhjetori i vitit që lamë pas hyri në fuqi mbështetja për kompanitë nga industria ushqimore. Ata marrin energjinë elektrike me subvencionim, çmim fiks prej 80 euro për megavat orë për shkak se duhet të nxisë ulje të çmimit të produkteve ushqimore bazë me rreth 10 për qind. Që sipas autoriteteve zyrtare kjo masë do të zbusë çmimet, praktika e thotë të kundërtën masi çmimet e bukës mbesin po të njëjta, ngjashëm edhe me produktet tjera bazë nuk është se ka pas ndonjë ndryshim që reflekton në xhepat e qytetarëve.

Përderisa sektori i bujqësisë mbetet ndër sektorët që më së shumti është dëmtuar nga kriza ekonomike, është absurde si ka mundësi që fondet e ndara mos të shfrytëzohen 10 milionë euro sikurse të ishin planifikuar për t’i ndihmuar këta bujq të paktë që kanë mbet në vend do të kishte qenë një stimul dhe ndihmë shumë e nevojshme që ata të vazhdojnë me prodhimet e tyre, që do të jenë në dobi të vendit. Por, nevojitet hartim i projekteve konkrete se ku dhe si do të shpenzohen këto fonde, e për hartim të projekteve nevojiten persona përgjegjës dhe të profiluar. Përndryshe, paratë vijnë dhe shkojnë nga kanë ardhur po nuk u ditë të shfrytëzohen. /Zhurnal.mk