Kurti: Mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive, Kosovë-Shqipëri. Ai ka thënë se anulimi ka ndodhur nga homologu i tij, Edi Rama, dhe sipas Kurtit një gjë e tillë është e paarsyeshme.

Kurti ka thënë se mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave.

Por sipas Kurtit, anulimi i mbledhjes së përbashkët nuk do të thotë asgjë sa i përket qëndrimit dhe sjelljeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke shtuar se bëhet fjalë për dy shtete të të njëjtit komb.

“Kjo mbledhje është përgatitur muaj më parë dhe me kryeministrin Rama ne jemi në kontakt dhe takohemi shpesh, mirëpo mbledhjet e dy qeverive janë diçka tjetër, nuk mund të zëvendësohen mbledhjet e qeverive me takime të kryeministrave për shkak se ne duhej të nënshkruanim 13 marrëveshje.

I kemi 13 marrëveshje me tekst të dakorduar që po na presin në sirtar dhe konsideroj që mosnënshkrimi i tyre sot është gabim dhe çdo ditë që ato nuk janë të nënshkruara dhe nuk zbatohen është dëm për qytetarët tanë.

Kjo nuk do të thotë asgjë sa i përket qëndrimit, sjelljeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ne jemi dy shtete por jemi të të njëjtit komb dhe duhet të punojmë sa me shumë, në funksion të saj ishte edhe mbledhje e dy qeverive qe për bindjen time është e paarsyeshme qe nuk është mbajtur sot”, ka deklaruar Kurti.