Editorial: Mbledhja e dy qeverive duhej të jep mesazh për unitet kombëtar, nuk guxon të bëhet shkak për të na përçarë
Prishtinë/Tiranë, 14 qershor – Një pjesë e konsiderueshme e opinionit të vendeve – në Shqipëri e Kosovë me gëzim e priste mbledhjen e radhës të qeverive të dy vendeve që duhej të mbahet në Gjakovë. Ky format mbledhjesh ka filluar para disa viteve, mirëpo çdo mbledhje e radhës na e plotësonte deri diku dëshirën për bashkim kombëtar, të cilën forcat e vendosjes tani për tani nuk janë duke e pranuar, ndoshta edhe për shkak se ende nuk i ka ardhur koha, shkruan Zhurnal.
Sidoqoftë! Ndodhi çka ndodhi edhe pse nuk duhej ndodhur.
Pozitive në krejt këtë çështje është se edhe Prishtina edhe Tirana pajtohen se sovraniteti i Kosovës duhet shtrirë në tërë vendin dhe se Serbia duhet të pajtohet me faktin e pamohueshëm se Kosova është shtet i pavarur, shkruan Zhurnal.
Është e qartë se për momentin kemi dy qëndrime kundërthënëse në relacionin Tiranë-Prishtinë!
Qëndrimi i Tiranës është se nuk duhet shpejtuar shumë, për shkak se rreziku është më i madh për Kosovën, se ajo çka mund të përfitohet. Ky qëndrim deri diku përkrahet edhe nga opozita në Kosovë.
Në anën tjetër, kemi qëndrimin e Prishtinës zyrtare se sovraniteti i shtetit duhet shtrirë plotësisht dhe tani në mbarë territorin e vendit, pa asnjë vonesë edhe përkundër rreziqeve dhe tensioneve që sjell kjo. Ky qëndrim deri diku përkrahet edhe nga opozita në Tiranë.
Bëhet fjalë për dallime në hapa. Por, në qoftë se këtë proces e përshkruajmë si një valle, atëherë Prishtina duhet t’i prijë valles, kurse Tirana duhet të përcjellë hapin e saj. Pa e analizuar fare dëshirën dhe vullnetin e tij të mirë, kryeministri shqiptar Edi Rama bëri gabim të madh që vendosi të propozojë një Draft për asociacionin, pa e pyetur fare Qeverinë në Prishtinë. Është e patolerueshme që për një gjë të tillë qeveria kosovare të njoftohet vetëm pasi Drafti të arrijë
Legjitime është brengosja e Qeverisë së Shqipërisë për atë se çka po ndodh në Kosovë, mirëpo ndërmarrja e hapave konkret që kanë të bëjnë me Kosovën, pa konsultuar fare krerët dhe institucionet e saj është diçka që nuk mund të arsyetohet.
Edhe vendimi i Edi Ramës për anulimin e mbledhjes ndërqeveritare dhe tkurrjen e saj në format të ngushtë, duket si një gabim i radhës. Paraqet dhënie të tepruar të peshës probleeve që shkaktojnë serbët në Veri të vendit, në kohën kur policia kosovare me sukses relativisht të mirë po përballet me situatën, por edhe kur po del në shesh se shkak për tensionet nuk janë vetëm vendimet e Qeverisë kosovare, por edhe përçarjet që kanë serbët në këtë pjesë të vendit. Kjo u p shumë qartë edhe gatë ditës së djeshme kur ishin vetë serbët që sulmuan zyrtarët e tyre në krye me Rakiqin, shkruan Zhurnal.
Megjithatë, pas gjithë kësaj është e qartë se inatet e hatërmbetjet në relacionin Rama-Kurti kanë filluar të thellohen. Nuk bëhet më fjalë vetëm për dallime të thjeshta mes tyre, por për diçka më të thellë.
Këto janë gjëra të panevojshme.
Nuk jemi shumë. Nuk jemi popull vital si dikur. Ikja masovike në Perëndim dhe rënia dramatike e natalitetit po na tkurr si komb me shpejtësi marramendëse. Nuk kemi mbetur shumë për ‘tu ndarë. Duhet të jemi sa më të unifikuar, sepse po i afrohemi pikës së historisë kur do të përballemi me pyetjen: Do jemi apo nuk do jemi? Kjo pikë e historisë është shfaqur në horizont dhe vetëm të verbuarit kombëtarisht nuk mund ta shohin.
Çdo shqiptar me vetëdije të ndërtuar kombëtare po e sheh këtë. Është koha që këtë rrezik në ardhje për kombin ton ta shohin edhe politikanët që kemi zgjedhur të na udhëheqin. /Zhurnal
(Editorial i përgatitur nga ekipi ynë në Prishtinë)

