Albin Kurti partner i SHBA-ve, BE nuk e ka opsion pezullimin e liberalizimit, çfarë do të thonë (ba)analistët pas kësaj?
Shkup, 12 qershor – Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, për të cilin shpesh herë thuhet edhe kryeministri i shqiptarëve, aktualisht po përballet me presionin më të madh të mundshëm që i ka ndodhur ndonjëherë ndonjë lideri në rajonin e Ballkanit Perëndimor. (Mos)Marrëveshja me Serbinë në programin qeverisës nuk e kishte prioritet, e me këtë program Kurti i fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit, me fitore historike mbi 50%. Prioritet e Kurtit ishin zhvillimi ekonomik, punësimi, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. E për këto u angazhua që nga dita e parë, e pas vitit të parë pati edhe efekte e rezultate të menjëhershme në gjitha këto prioritet e tij. Por, çuditërisht nga frika që ky kryeministër do të realizojë me përpikëri të gjithë programin e tij qeverisës u krijua tollovi e paparë ndonjëherë më parë, vetëm që dialogu të jetë prioritet e çështje që do të “lidh” këmbët e Kurtit dhe të ketë stagnim në prioritetet tjera. Prandaj, prej kur Kurti është kryeministër më shpesh sesa asnjëherë më parë Serbia ka provokuar situatën në veri të Kosovës, duke mobilzuar edhe tërë faktorin ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për dyja palët. E pikërisht në këtë fazë Kurti mbeti i vetëm përballë presioneve të katërfishta, Serbisë, faktorit ndërkombëtarë, Edi Rames, dhe një pjese të madhe të mediave në Kosovë. Mbase, zërat më të zhurmshëm ishin përbrenda vendit duke e cilësuar Kurtin si anti-amerikan, por këta zëra mbetën pa përmbajtje e të pakuptimta pas deklaratës së Escobar. Ai tha “Kurti është partner i yni, nganjëherë është partner i vështirë por është partner”. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian nuk e ka opsion pezullimin e liberalizmit të vizave për Kosovën. E tani shtrohet pyetja çfarë do bëjnë e thonë shumë “analist” e media që me çdo kusht tentonin të parafytyronin Kurtin si anit-amerikan, e se tani Kosova do të përballet me sanksione të shumta, shkruan Zhurnal.
Albin Kurti është partner i SHBA-ve –
Kjo se Kurti është partner i SHBA-ve nuk e thotë Zhurnal por emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, ka folur për raportet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Escobar tha se “Kurti është partner i yni. Nganjëherë është një partner i vështirë, por është partner. Kosova është partnere jona. Pra, në të ardhmen dëshirojmë të përfitojmë nga marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe nga përmirësimi i marrëdhënieve që kemi me Serbinë”, theksoi Escobar.
SHBA-ja e ka fajësuar Kurtin për tensionet e fundit në veri, ndërsa kanë kërkuar që kryetarët shqiptarë të mos futeshin në objektet komunale të komunave veriore. Pas kësaj, ndërkombëtarët kërkuan zgjedhje të reja në veri, duke garantuar pjesëmarrjen e serbëve. E për këtë kërkesë të ndërkombëtareve është pajtuar edhe kryeministri Kurti.
Edhe pse fajësohet faj nuk ka, pasi për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, kryeministri ishte konsultuar me të gjithë faktorin ndërkombëtarë e të cilët ishin pajtuar, por pas zgjedhjeve ndryshoi gjithçka. E në kulmin e tensioneve shqiptarë anekënd në vend se të rreshtohen pas Kurtit, një numër i madh për tu treguar “më katolik se papa”, shtireshin më ndërkombëtarë sesa vetë ndërkombëtarët. Akuzonin pa ndalë se Kurti është ani-amerikan, si dhe kryeministri po prish raportet SHBA – Kosovë, e kjo mbase e pakuptimit sepse edhe po deshi në të vërtetë Kurti nuk mund të arrijë ta bëjë këtë, pasi marrëdhëniet Kosovë – SHBA nuk kanë filluar me Kurtin e as nuk përfundojnë.
Por, për njerëz e media që dirigjohen e kontrollohen nga komanda të ndryshme nuk u bëhej vonë që në momentet më kritike për vendin në vend të ndihmës dëmtonin palën kosovare në raport me atë serbe. Megjithatë, e gjithë përpjekja e vazhdueshme për ta pasqyruar Kurtin si anti-amerikan mori fund dhe ranë të gjitha pretendimet poshtë e u bënë të pa vlera ashtu si ishin, pas deklaratës së Escobar, që Kurti është partner i SHBA-ve.
Bashkimi Evropian nuk e ka opsion pezullimin e liberalizmit të vizave për Kosovën –
Moment historik ishte dita kur u vendos që qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024 do të trajtohen ngjashëm sikurse gjithë qytetarët e rajonit, do të jenë të lirë e do të kenë mundësi të vizitojnë vendet evropiane shumë më lehtë, më thjeshtë, e më mirë. Kjo si rezultat i vendimit për liberalizimin e vizave. Çështje për të cilën shpesh herë është festuar me shampanjë, por në fund ngelte vetëm shkuma e shampanjës, sepse qytetarët mbeteshin të izoluar. E kjo gjë mori fund me ardhjen e Kurtit në krye të qeverisë. Tani më ekziston vendimi në fuqi që nga 1 janari qytetarët e Kosovës munden lirshëm të qarkullojnë.
E duke e ditur rëndësinë e veçantë të këtij vendimi, ato “media” dhe “analistë” të dyshimtë preknin pikërisht këtë çështje duke përhapur dezinformata në opinion, se kinse BE-ja do të pezullojë vendimin për liberalizimin e vizave në formë sanksionuese ndaj Kurtit. E këto zëra u hodhën poshtë ngjashëm sikurse ato për amerikanizëm, pas prononcimit të disa burimeve të BE-së për REL se BE nuk e ka opsion pezullimin e liberalizimit.
Burimet e Bashkimit Evropian, kanë thënë për REL se, “pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën – që është përmendur si mundësi në media, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – nuk është opsion”. Mbetet të dëgjohen e të shihen këto “media” me çfarë shpifje të tjera do ta trondisin publikun.
Por, një gjë është e ditur sa më shumë sulmohet kryeministri Kurti aq më shumë zmadhohet besimi dhe bindja ndaj tij. Sepse, aktualisht Kurti nuk po sulmohet për korrupsion apo keq-menaxhim, por vetëm për tentimin e tij për të shtrirë sovranitetin në tërë territorin e vendit. /Zhurnal.mk

