Senati i Akademisë së Studimeve Albanalogjike: Vendimi i qeverisë politik, pa konsultime

Senati i Akademisë së Studimeve Albanalogjike ka reaguar pas vendimit të Këshillit të Ministrave, që vendosi ditën e sotme që Akademia e Studimeve Albanologjike të riorganizohet dhe që institutet e saj të kalojnë si qendra autonome brenda Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në një deklaratë, senati i Akademisë së Studimeve Albanalogjike,  deklaron se është plotësisht kundër vendimit të marrë sot nga Këshillit të ministrave duke e cilësuar këtë si vendim politik të hartuar pa konsultime dhe pa transparencë.

Deklarata e Akademisë së Studimeve Albanalogjike:

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike i mbledhur urgjentisht pas deklaratës publike të ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, për miratimin e projektvendimit për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike, shpall:

Është plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave;

Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri;

Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë.

Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik.

ASA u shpreh mirënjohjen qindra mijra qytetarëve, institucioneve kërkimore shkencore brenda dhe jashtë vendit, partnerëve tanë, aktivistëve dhe mediave që i dhanë jehonë këtij akti të paprecedent dhe të ndërmarrë në limitin e kohës.