Marrëdhëniet Shkup – Sofje ndryshojnë sikurse moti, një deklaratë ndezë “gacat” e shuara!

Shkup, 23 maj –  Sofja po e mbanë pengë Shkupin për sa i përket aderimit në Bashkimin Evropian, kjo çështje sa pritet të zgjidhet dalin qindra barriera të tjera gjatë këtij rrugëtimi. Marrëdhëniet mes dyja shteteve herë janë të përkeqësuar e herë të relaksuara, që lirshëm mund të konstatohet se këto marrëdhënie ndryshojnë me dinamikën e motit. Në mëngjes mund të jenë mirë por në mbrëmje nuk i dihet, një deklaratë mund të nxisë tensione të shumta. Pra, mes dyja shteteve sikurse ka një zjarr të shuar përkohësisht por cila do erë që frynë i ndezë “gacat”. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në janar apo shkurt ka pasur takim me shërbimet, ku është bërë e qartë se ai është nismëtar i Listave të zeza. Këtë e deklaroi euro-deputeti Andrej Kovaçev në një emision mëngjesi në televizion bullgar BTV. Sipas tij, në këto lista ka pasur edhe eurodeputetë. Kovaçev theksoi se në këtë listë 99% janë bullgar. Sipas tij, nëse thoni se Goce Dellçev është definuar si bullgar nuk mund të hyni në Maqedoninë e Veriut. Janë këto deklarata që kanë ndezur gacat që për një kohë të caktuar ishin të shuara, shkruan Zhurnal.

RMV- Bullgari nuk dihet kur do të merren vesh përfundimisht, por vazhdimisht janë të acaruar –

“Në janar ose shkurt ka pasur takim, kemi informacione se ka iniciuar takim të tillë me shërbimet, ku iniciator i atyre listave të zeza për fat të keq është presidenti Pendarovski, i cili de fakto konfirmoi në atë forum në Beograd para dy ditëve se ka pasur lista të zeza për qytetarë europianë, duke përfshirë edhe anëtarë të Parlamentit Evropian”, tha Andrej Kovaçev, euro-deputet i Bullgarisë.

Eurodeputeti bullgar Kovaçev, në fakt aludon për fjalimin e Pendarovskit në Panel diskutimin nën organizim të Qendrës beogradase për politikë të sigurisë.

“Nëse këto persona dëshirojnë të vijnë si delegacion nga Parlamenti Evropian, ose nëse janë raportues rajonal për Ballkanin Perëndimor, ata janë çdoherë të mirëseardhur. Megjithatë nëse vijnë privat, pa marrë parasysh se cilët janë motivet e tyre dhe pa marrë parasysh a janë deputet në Parlamentin Evropian në Strasburg ose Bruksel, nuk mund t’u lejohet hyrja”, ka thënë Stevo Pendarovski, presidenti i RMV-së.

E gjithë kjo vijon pasi para pak kohësh Kovaçevit nuk ju lejua hyrja në vend së bashku me disa persona të tjerë. Atëherë në MPB arriti shpjegim se Kovaçev nuk është në listën e personave me ndalesë për hyrje në vend, por personat me të cilët ka udhëtuar kanë pasur ndalesë. Televizioni 21 ka kërkuar koment për këto akuza të Kovaçevit, mirëpo nga kabineti i Presidentit, thonë se Pendarovski nuk do të komentojë këto deklarata. Përndryshe retorika e zyrtarëve në relacion Shkup-Sofje ditëve të fundit është ashpërsuar.

Kryeministri Kovaçevski në Samitin e Këshillit të Evropës para dy ditëve porositi se diskursi që përdorë Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut për fat të keq është shumë i ngjashëm me diskursin që përdor Federata Ruse ndaj Ukrainës. Presidenti Bullgar, Rumen Radev, paraprakisht deklaroi se qeveria maqedonase mund të thotë se po ndërton shoqëri bashkëkohore multietnike kur do të gjejë forcë që t’i vendos në Kushtetutë edhe bashkëkombësit e Goce Dellçevit. Kovaçevski në lidhje me këtë tha se pasardhësit e Goce Dellçevit do t’i vendosin bashkëkombësit dhe pasardhësit e presidentit bullgar Rumen Radev në kushtetutën e vendit kur grupi i punës do të bëjë amendamentet.

Këto deklarata dhe kundër reagime tregojnë qartazi se tani për momentin marrëdhëniet mes dyja shteteve janë acaruar, dhe kjo nuk është fare e mirë për vendin në prag të mbylljes së çështjes së hapur me dekada të nxitet debat jo produktiv.

Negociatat janë hapur por nuk kanë filluar, varen nga ndryshimet Kushtetuese-

Përveç ndryshimit kushtetues, propozimi francez bën pjesë të kornizës së negociatave me BE marrëveshjet bilaterale të RMV me Greqinë dhe Bullgarinë. Në pikën 5 të Kornizave Negociuese që shoqërojnë propozimin francez përfshihet parashikimi se përparimi i negociatave do të përcaktohet nga progresi i RMV në përgatitjen për anëtarësim. Ky progres do të matet specifikisht, ndër të tjera, me “përkushtimin ei Maqedonisë së Veriut për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim më të ngushtë rajonal, duke përfshirë edhe arritjen e rezultateve të dukshme dhe zbatimin e marrëveshjeve bilaterale me vullnet të mirë, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen e vitit 2017 për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore me Bullgarinë .”

Zyrtarisht, Bashkimi Evropian shpalli hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 19 Korrik 2022. Kjo erdhi 17 vite pasi Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidat, dhe 13 vite pas rekomandimit fillestar të Komisionit Europian për fillimin e negociatave të anëtarësimit me RMV. Në fjalimin e saj të 19 Korrikut, von der Leyen foli për “durimin strategjik, me bollëk” të treguar nga dy shtetet. Por edhe sa durim strategjik do t’u duhet të vazhdojnë të tregojë Republika e Maqedonisë së Veriut?

Kujtojmë që, Maqedonia e Veriut, aktualisht ndodhet në procesin e shqyrtimit të ligjeve të Bashkimit Europian, në të cilin një vend familiarizohet me legjislacionin e BE dhe detyrimet që ato nënkuptojnë, ndërsa, në të njejtën kohë Komisioni Europian ekzaminon nivelin e përgatitjes së tij. Ky proces është hapi i parë në procesin më të gjatë të negociatave të anëtarësimit.

Prandaj, tani në këtë fazë është shumë e rëndësishme që të ruhen marrëdhëniet fqinjësore me Bullgarinë që kanë qenë edhe pengesa kryesore ndër vite që bllokonte Maqedoninë e Veriut drejtë anëtarësimit në BE. Tani kur kjo bllokadë është hequr, dhe RMV është kushtëzuar për të bërë ndryshimet Kushtetuese që pakicat bullgare të futen si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit, kjo sipas propozimit francez që kanë pranuar dyja shtet. Dhe, tani prishja e marrëdhënieve prish punën e arritur deri më tani. /Zhurnal.mk