Sesioni i dytë i mbledhjes së Komitetit të Përzier Parlamentar – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe BE-ja
Shkup, 17 maj – Në Kuvend sot duhet të vazhdojë mbledhja e Komitetit të Përzier Parlamentar – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe BE-ja (KPP).
Në sesionin e dytë të KPP-së duhet të shqyrtohen masat për përballjen me ndotjen dhe krizën energjetike, të miratohen rekomandimet, të shqyrtohet Raporti për Dialogun “Zhan Mone” dhe të caktohet vendi dhe data për mbledhjen e ardhshme të KPP-së.
Sesioni i parë i mbledhjes së KPP-së u mbajt dje në Kuvend ku folën euroambasadori Dejvid Gir, sekretarja shtetërore në Sekretariatin e Çështjeve Evropiane, Drita Abdiu Halili dhe ambasadorja suedeze.
Euroambasadori Gir vlerësoi se hendeku politik po thellohet dhe për këtë reformat e nevojshme mbesin prapa.
“Ka përparim, ndjehet se gjërat po ecin përpara, veçanërisht lidhur me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në përputhje me obligimet e marra dypalëshe me Marrëveshjen ndërmjet shtetit dhe Bullgarisë, por fatkeqësisht edhe krahas përpjekjeve politike të të dyja palëve për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ende nuk ka rend dite të përbashkët për reformat e nevojshme”, vlerësoi euroambasadori.
Porositi se është e rëndësishme të adresohen mangësitë në zbatimin e ligjeve përkatëse me çfarë sigurohet pavarësia dhe integriteti i gjykatësve, ndërsa prioritet, sipas tij duhet të jetë edhe fuqizimi i resurseve njerëzore si në gjyqësi, ashtu edhe në prokurori. Procesi i zgjedhjes së dy gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese dhe dy anëtarëve në Këshillin e Prokurorëve zgjat shumë dhe duhet sa më shpejt të përmbyllet në bazë të parimit të meritokracisë.

