Asociacioni, kryefjalë e vizitës së zyrtares amerikane

Shkup, 13 maj – Në secilën paraqitje pas takimeve me kryeministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani, administratorja e USAID, Samantha Poëer, përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke bërë thirrje që kjo çështje të zgjidhet sa më parë. Megjithatë, këtë detaj s’e përmenden edhe dy liderët e shtetit.

Për dy ditë radhazi në Kosovë qëndroi zyrtarja amerikane, Samantha Power, në një vizitë që u pasua pas asaj që pati në Beograd.

Natyrisht, në agjendë kishte edhe takime me liderët e shtetit, Albin Kurti e Vjosa Osmani. Kryefjala e këtyre takimeve – Asociacioni.

Çka tha ajo pas takimit me Kurtin?

Ndonëse kryeministri Kurti s’e përmendi fare, Power para gazetarëve e bëri të ditur se çështja kryesore e diskutimeve, ka qenë “urgjenca e krijimit të Asociacionit” dhe “urgjenca e zbatimit të marrëveshjeve”.

Ne gjithashtu e kemi bërë të qartë përmes zotit Derek Chollet dhe Gabriel Escobar parimet që ne besojmë se çfarëdo Asociacioni duhet t’ju bindet. Ne jemi konfident që me sinqeritet dhe me ato specifika që si rrjedhojë do të çelin progres në përgjithësi, dhe avancime të ndjeshme mund të bëhen ditëve në vijim.” – u shpreh ajo.

Ndërkohë, kryeministri s’e tha ndonjë fjalë rreth kësaj, as në Twitter, as në Facebook, por as para gazetarëve.

Pesë fjali në preambulë, 11 nene në marrëveshjen bazë, 12 pika në aneks, dhe kjo duhet të implementohet plotësisht pa vonesa dhe pa kushte. Kjo është ajo çfarë do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel, dhe jo që më dëgjuat vetëm ju por edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi i cili është këtu në rreshtin e parë” – deklaroi ai kur u pyet për takimin që do të mbahet të hënën mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.

Asociacioni – edhe pasi takoi Osmanin

Çështjen e Asociacionit, e vuri në pah edhe pas takimit që pati të shtunën me presidenten Vjosa Osmani. Power deklaroi se “themelimi i Asociacionit do t’i ndihmojë normalizimit të raporteve mes dy vendeve”.

Biseduam për përparimin në normalizimin e raporteve me Serbinë, kompleksiteti i këtij dialogu të gjithë e kanë parasysh. Kam dëgjuar vazhdimisht se kosovarët besojnë se kjo është rruga e duhur që duhet të vijojë vendi i tyre. Në takimet me kryeministrin dhe Osmanin kam theksuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për normalizim dhe kam inkurajuar që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet që ta shpejtojnë rrugën drejt normalizimit. Themelimi i Asociacionit do t’i ndihmojë normalizimit të raporteve dhe zhvillimit ekonomik dhe biznesit.” – u shpreh ajo.

Njëjtë si partneri i saj qeverisës, as presidentja Osmani s’e përmendi Asociacionin në njoftimet e saj për takimet me zyrtaren e lartë amerikane.

“Sot, në takim me Administratoren e USAID-it, Samantha Poëer, një mike e kahershme e popullit të Kosovës, i shpreha mirënjohjen tonë të përzemërt për kontributin e jashtëzakonshëm të USAID-it dhe popullit amerikan, i cili shërben si shembull i partneritetit të palëkundur në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.” – shkroi presidentja në Facebook.

Asociacionin e përmend edhe ambasadori

Në takimin e djeshëm të Power me kryeministrin Kurti, i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Ai e bëri të qartë në Twitter se gjatë takimit kanë ritheksuar rëndësine e themeilimit të Asociacionit.

“Ne ritheksuam rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të Dialogut, duke përfshirë themelimin e Asociacionit.” – thuhet mes tjerash në shkrimin e tij.

Ndërkohë, pas takimit të sotëm me presidenten Osmani, ambasadori Hovenier tha se diskutuan për “përkrahjen e ShbA-së në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”.