Konjufca ua thotë edhe amerikanëve: Kosova nuk pranon modele që e rrezikojnë shtetin

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, e përsëriti vetëvetën para amerikanëve, duke thënë se asnjëherë nuk do të pranohen modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.

Konjufca priti sot në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit.

Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera kryetari Konjufca.

Në lidhje me propozimin e Ekipit Menaxhues për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, së pari Konjufca, i reagoi emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, pasi ky i fundit të hënën tha se draft-statuti për Asociacionin i propozuar nga Ekipi Menaxhues, ka qenë vetë një pikënisje dhe se negociatat duhet ta vazhdojnë.

Konjufca, në një konferencë për media, tha se ky draft-statut është anti-kushtetues dhe se është bërë me urdhër të Serbisë dhe presidentit të saj për krijimin e një republike serbe brenda Kosovës.

Statuti që ata e prezantuan ishte sipas urdhrit të Serbisë dhe presidentit Vuçiq. Ishte statut me një përpjekje për me kriju republikë serbe brenda Kosovës dhe kjo është anti -kushtuese. Dhe unë mendoj që kurrfarë pozicioni anti-kushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës”, tha Konjufca.

Nëse BE nuk mendon se zgjidhja duhet kërkuar brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj se Kosova nuk ka çfarë kërkon në atë dialog më”, tha Konjufca. /Nacionale