Nagip Krasniqit i caktohet paraburgimi për një muaj
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale duke i caktuar një muaj paraburgim drejtorit të KEK-ut Nagip Krasniqi i cili është arrestuar dje në dyshimin se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit’’ dhe veprën penale “Konflikt i interesit”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurin N.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Gjykata Themelore.
Në njoftim thuhet se gjyqtarja e Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

