Kërkohet paraburgim për 4 policët e dyshuar për plagosjen në veri
Zyrtari policor i Njësisë Speciale Operative, me inicialet K.P është ndaluar për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprat penale të vrasjes në tentativë, manipulimit me prova dhe moslajmërimit të veprës penale nën dyshimet për përfshirjen e plagosjes së një qytetari në veri të Mitrovicës më saktësisht në Leposaviq te vendi i quajtur si “Ura e Bistricës”.
Ndërsa, tre policë po dyshohen se kanë kryer veprën penale të moslajmërimit të veprës penale
Këto dyshime janë ngritur nga hetuesit e Inspektorati Policor, por për këtë angazhim kanë edhe Prokuroria e Mitrovicës, e cila tashmë ka kërkuar masën e paraburgimit për të gjithë.
“Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka dorëzuar kërkesën për paraburgim për katër policët e dyshuar si të përfshirë në plagosjen e qytetarit serb tek “Ura e Bistricës”. Veprat penale me të cilat ngarkohen të dyshuarit janë: K.P i dyshuar për veprën penale, vrasje në tentative, manipulim dhe fshehje e provave. Ndërsa tre të tjerët F.M S.U dhe M.M dyshohet se kanë kryer veprat penale mos lajmërim të veprës penale”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.
Televizioni është interesuar që të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës rreth trajnimeve qofshin ato edhe psikologjike që marrin policët që janë në terren.
Referencat e Policisë në përgjigje është komunikata e një nate më parë, ku tashmë rasti është në hetime dhe se zyrtarët policor janë suspenduar.
“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se, Policia e Kosovës ka bërë publike informacionet zyrtare lidhur me rastin në fjalë, përfshirë edhe masat e ndërmarrura ndaj zyrtarëve policorë. Njëkohësisht sipas procedurave të parapara ligjore janë njoftuar institucionet kompetente (IPK-ja dhe Prokuroria) për trajtim dhe kompetencë të mëtejme të rastit”.
Mirëpo, se kur duhet zyrtarët policor që të përdorin armën pa tejkaluar kompetencat e tyre ligjore janë të rregulluara me ligjet në fuqi për Policinë e Kosovës.
“Zyrtarët policor para se të pajisen me armë kryejnë shumë trajnime dhe u mësohet se kur duhet të përdoret arma domethënë në cilat raste. Në qoftë se Polici ka për të larguar nga vetja apo nga qytetari sulmin e provokuar që duhet normal të dal në ndihmë të qytetarëve të mbrojë kolegët apo edhe vetën nga një sulm i papritur” =, ka thënë Naim Rudari, ish-zyrtar policor.
Për këtë rast kanë reaguar edhe ministra të Qeverisë Kurti.
Pos Xhelal Sveçlës është ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka thënë se është bërë shumë punë për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e plagosje së qytetarit serb në Leposaviq.
“Sigurisht që dënojmë rastin dhe menjëherë 4 policë janë suspenduar, 4 zyrtarë policor janë në mbajtje sepse siç jam informuar ende nuk është caktuar masa e paraburgimit, për këtë vendosin institucionet e drejtësisë njëri për tentim vrasje dhe tre të tjerë për mos raportim të veprës penale”, ka deklaruar Haxhiu.
Për këtë ngjarje kanë reaguar Zyra e BE-së në Kosovë dhe ambasadorët ai amerikan dhe gjerman duke dënuar dyshimet e përfshirjes së policëve të Kosovës por edhe mohimit fillimisht për këtë pa sqaruar rastin nga ana e Policisë.

