Përse nuk publikohet ende kontrata mes Bechtel Enka dhe Qeverisë për ndërtim të korridorit 8 dhe 10D?
Shkup, 12 prill – Një muaj më parë me propozim të Komisionit për Negociatat për Ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D . Qeveria miratoi kontratën e ndërtimit në katër autostradat e planifikuara të këtyre korridoreve, pati njoftuar zyra e zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Miratimi i kontratës për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d vjen pas katër javësh negociata mes konsulentit qeveritar për transaksionet financiare, IRD, dhe konsorciumit ndërkombëtar “Bechtel Enka”. Nga ana tjerët kjo kompani ka marrë këtë detyrë që të ndërtojë dy korridore për të cilat vlerësohet se janë historike dhe projektet më të mëdha pas pavarësisë së vendit, por për këtë nuk ka pasur tender. Flasim për marrëveshje, kontratë me kompaninë pa tender, gurthemeli për korridorin 8 është hedhur, por qytetarët nuk kanë pasur qasje ta shohin askund të publikuar kontratën e realizuar ndërmjet Qeverisës së vendit dhe Bechtel Enka. Nuk dihen cilat mund të jenë motivet që një kontratë e rëndësisë së veçantë për një projekt megaloman të fshihet dhe mos të publikohet, transparenca është detyrë e obligim. Edhe pse Grubi është justifikuar se mos publikimi i kësaj kontrate ka të bëjë me kontratë të klasifikuar dhe sekret biznesi, por ky arsyetim nuk është se shuan kureshtjen e opinionit dhe mungesën e transparencës, shkruan Zhurnal.
Qeveria miraton kontratën për Korridorin 8 dhe 10-D, por kjo kontratë nuk u publikua ende –
Më 7 mars 2023, me propozim të Komitetit për Negociata për Ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, i cili drejtohet nga zëvendës kryetari i parë i Qeverisë, Artan Grubi, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar kontratën për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D.
Miratimi i kontratës për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D vjen pas katër javëve negociata të cilat janë realizuar në mes të konsulentit për transaksion financiar të Qeverisë, IRD dhe konzorciumit ndërkombëtar Bechtel Enka.
“Ditë e madhe sot në Komitetin drejtues dhe në Qeveri ku shqyrtuam raportin e konsulentit tonë mbi negociatat me konzorciumin Bechtel Enka për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D si dhe miratim përmbajtjen dhe nënshkrimin e kontratës”, është shprehur Grubi.
Ndryshe, Qeveria muaj më parë miratoi konkluzionin e propozuar nga Komiteti për negociata, se ishin plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave dhe formimin e grupeve të punës mes Bechtel Enka dhe IRD, negociata të cilat zgjatën 28 ditë. Korridori 8 shtrihet në gjatësi prej 68 kilometra, me autostradë me 6 korsi, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, përmes Strugës deri në Qafë Thanë, ndërsa Korridori 10-D nga Prilepi në Manastir shtrihet në gjatësi prej 40 km dhe realizohet me 6 korsi, në periudhë prej 3 viteve nga fillimi i punimeve.
Megjithatë, kur kemi të bëjmë me një nga projektet më të mëdha në historinë e vendit, transparenca duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm. Për të dëshmuar secilin pretendim dhe për të shuar përpjekjet për keqpërdorime të natyrave të ndryshme, që nga kontrata e deri në përfundim çdo detaj duhet të jetë i qasëm për publikun.
Pra, është dashtë të fillohet me publikimin e kontratës e më pastaj edhe gjitha hapave tjerë vijues, Fshehtësitë e tilla nuk çojnë askund përpos në ngritje të dyshimeve dhe dilemave të ndryshme që nuk i shërbejnë aspak projektit në fjalë. Prandaj, duhet vetëm transparencë e shumëfsiht dhe me kujdes të lartë që të mos hutohet publiku, pasi kemi të bëjmë me shumë të majme të buxhetit që janë ndarë pikërisht për këtë projekt. Dhe, buxheti i shtetit nuk mbushet nga “shiu” por nga xhepat e qytetarëve.
Grubi: Marrëveshja me “Bechtel dhe Enka” nuk do të publikohet, është e klasifikuar –
Zëvëndës kryeministri i parë Artan Grubi tha se marrëveshja me “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e katër autostradave, me gjithë dilemat e periudhës së kaluar, nuk do të publikohet për opinionin. Sipas Grubit, marrëveshja nuk do të publikohet pasi është “e klasifikuar dhe ka sekrete biznesi”. Ai shtoi se as Bechtel dhe as Enka si palë në marrëveshje nuk e kanë lejuar publikimin e saj dhe një nga mostrat, siç tha Grubi, ka qenë në Prokurorinë Publike.
Por edhe ky arsyetim i Grubit, nuk është se do të shuan kureshtjen e opinionit për të parë detajet e marrëveshjes dhe kontratës së nënshkruar mes Qeverisë dhe Bechtel Enka, pasi nga ana tjetër mos publikimi i kësaj marrëveshje rrit dyshimet për mungesë transparence.
Antikorrupsioni: Të rishqyrtohet miratimi i ligjeve për korridoret 8 dhe 10D –
Komisioni për parandalimin e korrupsionit kërkon që të rishqyrtohet paralajmërimi i miratimit të propozim-ligjeve me procedurë të shkurtuar të cilët i referohen Korridoreve 8 dhe 10-D. Sipas Antikorrupsionit, kjo praktikë bie ndesh me postulatet themelore të shtetit juridik, rritë mundësitë për korrupsion dhe nuk lë hapësirë për debat publik, aq më pak i jep mundësi ekspertëve. Antikorrupsioni kujton që me zgjidhjet ligjore të ofruara cenohet e drejta e punëtorëve, e drejta e pronësisë, mjedisit jetësorë dhe tët tjera.
Kujtojmë që, vlera e ndërtimit është 1,3 miliardë euro, por ende nuk dihet se sa do të kushtojë veçmas secila nga katër akset e autostradave. Tani ka projekt inicial, pastaj do të vijojë projekti bazë, pra projekti për ndërtim me të cilin do të dihet çmimi. Llogaritjet e para tregojnë se aksi Tetovë-Gostivar në gjatësi prej 17,5 kilometra kushton 125 milionë euro, Gostivar-Bukojçan (30,3 kilometra), 560 milionë euro, Trebenishtë-Strugë-Qafëthanë (21,7 kilometra) 360 milionë euro, ndërsa Prilep-Manastir (39,4) 260 milionë euro.
Megjithatë, korridori 8 dhe 10D janë interes strategjik i vendit, realizimi i këtij investimi më të madh kapital në historinë e vendit do të kontribuojë në ekonominë, modernizimin e infrastrukturës rrugore, e cila në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, por edhe jetë cilësore dhe lidhje me fqinjët dhe Korridoret ndërkombëtare. Si kohë e mjaftueshme për ndërtim të dy korridoreve janë paraparë 4 vite e shtatë muaj. Viti 2027 nuk është larg, prandaj mbetet të shihet nëse ky projekt do të sheh dritë realizimi në kohën e paraparë. Por, ajo që vazhdon të mbetet e rëndësishme është fakti që duhet transparencë e plotë për të shuar gjitha pretendimet për keqpërdorime të mundshme. /Zhurnal.mk

