Osmani: Jemi ndër vendet e pakta që kanë nivel të garantimit të drejtave të komuniteteve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është ndër vendet e pakta që kanë një nivel të garantimit të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, por edhe të qytetarëve në përgjithësi.

Këto deklarata presidentja i bëri gjatë konferencës “Analizë gjithëpërfshirëse e Kushtetutës së Kosovës”.

“Është e rëndësishme që së pari të ritheksojmë rëndësinë e nivelit më të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive që garanton kjo Kushtetutë. Me shumë krenari e them gjithmonë se jemi ndër vendet e pakta, nëse jo të vetmet, që kanë një nivel të këtillë të garantimit të të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, por edhe të qytetarëve në përgjithësi. Këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave tona shoqërore dhe si të tilla duhet të mbesin të paprekura nga kushdo”, u shpreh ajo.

Më tej, presidentja shtoi se “është me rëndësi që edhe në rastet kur ka kërcënim ndaj këtyre të drejtave, institucionet e vendit të reagojnë në mënyrën më të mirë, më efikase të mundshme, me masat e duhura gjithnjë në mbrojtje të këtyre të drejtave”.

“Për këtë arsye, kam bërë thirrje të vazhdueshme për përmirësime në reagime të institucioneve ligjzbatuese sidomos në rastet të dhunës në familje dhe dhunës kundër grave nuk mund të mos flas edhe për rëndësinë e etikës, në zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës sonë. Dua të theksoj se ligjet – në këtë rast edhe vet Kushtetuta si akti më i lartë juridik i vendit tonë- marrin kuptim të plotë atëherë kur i shërbejnë përmirësimit të mirëqenies së përgjithshme e avancimit të të drejtave individuale si dhe interesit kolektiv”, potencoi presidentja.

Osmani tha më tej se “ s’ka gjë më të dhimbshme e më dëshpëruese për një shoqëri se sa të humbin besimin në drejtësinë e ligjit, në etiken e ligjit. Prandaj, një gjë është e sigurt: edhe kur e tashmja mund të sfidohet nga padrejtësia, koha e gjen gjithnjë mënyrën e vet për ta sjell përfundimisht drejtësinë në vend”.