Superiorja rikthehet në fushë me javën e 27-të
Java e 27-të e “Abissnet Superiore” rikthehet me 5 ndeshje interesante dhe betejën në tre fronte. Vendi i parë do të luhet në distancë mes Tiranës dhe Partizanit. Bardheblutë presin Erzenin në Elbasan të dielën në orën 18:00, ndeshje që do të transmetohet drejtëpërdrejtë në RTSH. Skuadra e Orges Shehit, në kërkim të pikëve për të mos lejuar shkëputjen e të kuqve, sfidon surprizën më të madhe të këtij sezoni pasi shijakasit janë aktualisht në zonën europiane ndërsa në fazën e parë po në Elbasan, fituan me një gol të Kahrimanovic ndaj kampionëve në fuqi.
Të shtunën, Partizani viziton Durrësin ku gjen Teutën në superformë. Skuadra e Edi Martinit ka regjistruar vetëm 1 humbje në 13 të fundit dhe për më tepër është në garë në të dyja frontet. Detyrë shumë e vështirë për kryesuesit e Superiores, të cilët kanë gjetur vazhdimësinë dhe ndeshja në “Niko Dovana” do të tregojë realisht se sa vlen kjo skuadër.
Po të shtunen por në orën 15:00, Vllaznia në krizë rezultatesh pret Bylisin e vendit të parafundit. Mallakastriotët kanë nisur numërimin mbrapsht të ndeshjeve dhe një tjetër humbje do t’i zhysë më shumë drejt së Parës, ndërsa në krahun tjetër, shkodranët me një trajner të ri në stol, do të kërkojnë gjithashtu të shfrytëzojnë një nga mundësitë e fundit për të qëndruar në lojën e kreut.
Kukësi dhe Egnatia do të ndeshen në të njëjtën orë me verilindorët që janë më të interesaur drejt zonës europiane tashmë që janë larguar nga fundi, ndërsa të dielën, Kastrioti i vendit të fundit sfidon në Kamëz skuadrën e Laçit që pas fitores me Vllazninë është në kërkim të vazhdimësisë.



