Osmani bën homazhe në Kompleksin Memorial të dëshmorëve në Krushë të Madhe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe pranë Memorialit të dëshmorëve dhe të martirëve në Krushë të Madhe, me rastin e 24 vjetorit të masakrës në këtë fshat, raporton Ekonomia Online.

Pas homazheve, Ejup Kabashi, përfaqësues i shoqatave të dalura nga lufta, tha se këto shoqata do të jenë gjithmonë pranë familjarëve të viktimave.

“Unë personalisht në emër të shoqatave ju premtoj dhe ju garantoj se do të jemi përherë prane juve. Edhe një herë po ju thërras për motiv dhe punë që të ndërtojmë të ardhmen fal gjakut që e dhanë për liri”, tha ai.

Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës së Madhe mbetet një ndër masakrat më të mëdha e kryer mbi popullsinë shqiptare nga ushtria serbe.