U dënua me 21 vite për vrasjen e Azem Hajdarit, Haxhia rekurs në Gjykatën e Lartë
Izet Haxhia i dënuar me 21 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, depoziton rekurs në Gjykatën e Lartë.
Mësohet se ish-bodigardi i ish kryeministrit Sali Berisha kundërshton vendimin e tetorit të vitit të kaluar të gjykatës së Apelit Tiranë, e cila e shpalli fajtor duke e dënuar me 21 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit dhe truprojës së tij.
Në shkurt të vitit 2021, Gjykata e Shkallës së parë dha këtë vendim pasi Haxhia kërkoi rihapjen e dosjes së cilësuar si “Vrasja e shekullit”.
Haxhia ishte dënuar fillimisht nga gjykata shqiptare me 25 vite burg, në mungesë, për vrasjen e Azem Hajdarit, por ai nuk e kishte pranuar kurrë akuzën dhe për këtë kishte bëre kërkesë për rigjykim.
Ai u shpall fajtor dhe u dënua për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim. Haxhia u vetëdorëzua në vitin 2018, duke u ekstraduar në Shqipëri nga Turqia, pasi ishte arrestuar atje prej vitit 2006.
Ndërkohë Gjykata e Lartë ende nuk e ka caktuar datën kur pritet të shqyrtojë rekursin në dhomë këshillimi.

