Propozimi evropian, Borrell: Koha që Kosova dhe Serbia të bien dakord për Aneksin e zbatimit
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se është koha që Kosova dhe Serbia të bien dakord për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes që është arritur në parim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për normalizimin e raporteve.
Borrell shkruan se është koha që liderët e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor të tregojnë guxim dhe të tregojnë përgjegjësi të përbashkët për suksesin e procesit të anëtarësimit të rajonit në BE.
Lexoni të plotë shkrimin e Borrellit për procesin e dialogut, aneksin e zbatimit të Propozimit evropian dhe takimin e 18 marsit:
Është koha për të marrë përgjegjësi dhe për të ecur drejt BE-së
Këtë të shtunë, më 18 mars, do të thërras një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë. Kësaj radhe është ndryshe nga takimet e mëparshme. Jo vetëm sepse do të takoj Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në rajon, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në vend që të takohemi në sallat e njohura të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian në Bruksel. Por edhe sepse diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
Ballkani Perëndimor është i ndryshëm nga çdo rajon tjetër në fqinjësinë e afërt të BE-së. Këtë e kuptova edhe para se të bëhesha Përfaqësues i Lartë/ Zëvendëspresident në dhjetor të vitit 2019.
Një prej hapave që duhet përfunduar përpara se të bëhesh kreu i politikës së jashtme të BE-së është një seancë dëgjimore e gjerë në Parlamentin Evropian. Gjatë diskutimit tim me Parlamentin, një vëmendje e veçantë iu kushtua këtij rajoni të rrethuar nga BE-ja, dhe në veçanti planet dhe idetë e mia për Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin BE-ja në atë kohë e kishte lehtësuar për gati 10 vjet.
Unë u angazhova me këtë rast që të kryej vizitën time të parë dypalëshe si PLZP në Kosovë dhe Serbi – një premtim që e mbajta.
Sapo mora zyrtarisht detyrën si Përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Siguri të BE-së dhe Zëvendëspresident i Komisionit Evropian, Ballkani Perëndimor u bë natyrisht një nga pikat kryesore të vëmendjes sime. Sa herë që takoj përfaqësuesit e shoqërisë civile gjatë vizitave të mia të shumta në rajon, ata më shprehin qartë një gjë: shumica e njerëzve që jetojnë në Ballkan nuk duan të mbeten të mbërthyer në vitet e 90-ta, të ballafaquar vazhdimisht me rikthimin e së kaluarës.
Ata duan të shikojnë përpara dhe jo prapa, të jetojnë në demokraci, të qeverisur nga shteti ligjor, në shoqëri të cilat ofrojnë mundësi për të gjithë. Dëshira për të qenë anëtarë të komunitetit tonë të vlerave nuk është një ëndërr e largët dhe unë i mbështes aspiratat e tyre ashtu siç bën e tërë udhëheqësia e BE-së.

