Kurti e quajti Gjingjiqin lider të rrallë, reagon Nurellari: E pakuptueshme përpjekja e kryeministrit për të rehabilituar e glorifikuar liderë politik serbë

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Ardi Nurellari ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti që bëri ndaj ish-kryeministrit të Serbizë, Zoran Gjingjiq me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së tij.

I pari i ekzekutivit e ka konsideruar Gjingjiqin një politikan që sipas tij e qeverisë Serbinë në mënyrë demokratike.

Nurellari përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se është e pakuptueshme përpjekja e kryeministrit Kurti për të rehabilituar e glorifikuar liderë politik serbë që kanë qenë pjesë e elitës shoviniste.

“Pas lëvdatave për Oliver Ivanoviqin, kryeministri i Kosovës thur elozhe për ish-kryeministrin serb Zoran Gjingjiç, i cili ra viktimë e luftës së brendshme për pushtet”, ka shkruar Nurellari.
Ai ka publikuar edhe një letër të cilën Gjingjiq i kishte shkruar kohë më parë Ratko Mlladiqit, të dënuarit si përgjegjës për gjenocidin në Bosnje.

Postimi i plotë:

Është e pakuptueshme përpjekja e kryeministrit Kurti për të rehabilituar e glorifikuar liderë politik serbë që kanë qenë pjesë e elitës shoviniste. Pas lëvdatave për Oliver Ivanoviqin, kryeministri i Kosovës thurr elozhe për ish-kryeministrin serb Zoran Gjingjiq, i cili ra viktimë e luftës së brendshme për pushtet.

Ja çfarë i shkruante kriminelit të luftës, të dënuar si përgjegjës për gjenocidin në Bosnje, Ratko Mlladiqit, ky “demokrati intelektual pro-evropian” që kaq shumë admirohet nga kryeministri i Kosovës

I nderuar Z. Gjeneral,

Në emër të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe në emrin tim personal, ju uroj të gjithë ushtarët, nënoficerët, oficerët dhe ju personalisht Ditën e Ushtrisë së Republikës Srpska. Ushtria e Republikës Srpska, e formuar gjatë luftës për liri, është një shembull se si një ushtri e vogël por popullore mund të ruajë me sukses shtetin dhe të mbrojë njerëzit.
Pavarësisht negociatave të paqes, suksesin e të cilave ne të gjithë e dëshirojmë, na duhet një ushtri e fortë, në mënyrë që pala tjetër të heqë dorë nga synimi i saj për të vazhduar luftën. Shpresoj se populli serb, si dhe Ushtria e Republika Srpska, do ta mirëpresin Vidovdanin e ardhshëm në paqe.
Me respekt, Dr. Zoran Gjingjiq.
 

https://www.facebook.com/A.Nurellari/posts/621409326664647