Aksidenti tragjik në Tiranë, policia në shërbim të përforcuar: Monitorim 24 orë në gjithë vendin

Pas aksidentit tragjik të ndodhur te mbikalimi i TEG-ut në Tiranë, ku humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 3 të tjerë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar që të gjitha shërbimet e policisë rrugore të jenë në gatishmëri dhe monitorim të akseve gjatë 24 orëve.

Në urdhrin e Rrumbullakut thuhet se “në të gjithë vendin, të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore të kalojnë në shërbim të përforcuar, duke rritur prezencën e efektivëve dhe të mjeteve logjistike, në akset rrugore. Të gjitha makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, kamerat dhe mjetet e pauniformuara, do të vijojnë të jenë në funksion 24/7, me tri turne”.

Përforcimet kanë  nisur që prej mbrëmjes së 10 marsit në orën 21.00, ku vetëm gjatë 12 orëve të fundit janë pezulluar 53 patenta dhe për shpejtësi dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

“122 masa administrative për shpejtësi mbi normat e lejuara (pa sanksionin plotësues pezullim i lejes së drejtimit), 87 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 106 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit, 11 masa për manovra të gabuara  dhe gara shpejtësie, 23 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas apelit që drejtuesit të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, Polica e Shtetit fton qytetarët dhe mediat që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave apo neglizhencë të punonjësve të Policisë Rrugore.

Gjatë dy ditëve të fundit rrugët në vend janë përgjakur nga aksidente duke shënuar disa viktima.