Sot pritet vendim për ngrirje të çmimeve të pastave dhe produkteve të qumështit
Shkup, 10 mars – Përveç bukës, çmimin e të cilit Qeveria e ngriu në 33 denarë, sot pritet ngrirje e re e çmimeve të disa produkteve ushqimore. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dje paralajmëroi se do të merret vendim për ngrirje të çmimeve të pastave dhe të produkteve të qumështit.
Me vendimin të cilin pritet ta marrë Qeveria do të përfshihen makaronat, shpagetat, djathi i bardhë, qumështi, gjiza…
Sipas Bekteshit, pastat do të lirohen për të paktën dhjetë për qind, ndërsa në krahasim me produktet e qumështit do të pritet që prodhuesit deri nesër të përgatiten sepse, siç tha, disa tashmë edhe vetë i ulin çmimet.
“Qytetarët të qëndrojnë të qetë, çmimet do të ulen jo vetëm të këtyre produkteve, ne në vazhdimësi do të vazhdojmë me të gjitha produktet ku analizat do të tregojnë se ka fitime më të mëdha ose marzhë nga ajo që është e rregullt”, theksoi dje Bekteshi.

Për vendimet për ngrirje të çmimeve, siç paralajmëroi Bekteshi, pritet që gjatë ditës të informojnë bashkë me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Në fund të shkurtit, Qeveria e ngriu çmimin e bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë prej 450 gramë në 33 denarë pasi analizat e Ministrisë së Ekonomisë dhe kontrollet inspektuese treguan se disa nga kompanitë nuk i kanë ulur çmimet edhe pse kanë shfrytëzuar energji elektrike të subvencionuar.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski atëherë në konferencë për media tha se nuk do të lejojë rritje të paarsyeshme të çmimeve.
“Ka kaluar një periudhë e mjaftueshme që nga miratimi i pakos së fundit të masave kundër krizës që çmimet të harmonizohen sepse ndihma nga shteti ishte në kohë dhe reale. Edhe pse kompanitë ushqimore kanë marrë energji elektrike të subvencionuar, ato nuk i kanë ulur çmimet e produkteve të tyre apo i kanë ulur në mënyrë të parëndësishme. Kjo vlen për disa nga prodhuesit e produkteve ushqimore bazë. Disa ulën çmimet nga 7 në 12 për qind. Prandaj në mbledhjen e sotme të qeverisë anuluam masën për energji elektrike preferenciale. Prodhuesit e produkteve ushqimore do të furnizohen me energji elektrike në përputhje me Ligjin për energjetikë dhe rregullat për furnizim me energji elektrike”, tha Kovaçevski në konferencën përmedia në shkurt.
Pas kësaj furtarët paralajmëruan se nuk do të prodhojnë bukë dhe dy ditë nuk shpërndanë bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë pas çka Qeveria mori vendim me të cilin i obligon prodhuesit e bukës dhe tregtarët e bukës që ta prodhojnë dhe shesin bukën nga 33 denarë. Shpërndarja dhe shitja e bukës vazhdoi, ndërsa furtarët paralajmëruan se përgjegjësinë do ta kërkojnë në rrugë gjyqësore.

