Kënga e para shumë viteve i ishte bërë senzacion në TikTok, por Bebe Rexha kishte harruar që është kënga e saj

Imagjinoni të kuptoni se një këngë që po bëhet virale aktualisht në TikTok është diçka që e keni incizuar vite më parë – dhe më pas e keni harruar plotësisht. Kjo është ajo që ndodhi me këngëtaren e hitit “Meant to Be”, Bebe Rexha për këngën e saj “I’m Good (Blue)” – e cila është një ripërpunim i hitit “Blue (Da Ba Dee)” të grupit Eiffel 65 të vitit 1998.

“Ne e incizuam këngën katër vjet më parë, dhe David përfundoi duke e lëshuar në një festival një javë më vonë, vetëm për ta provuar për argëtim”, tha Bebe për ABC Audio.

“Ne nuk menduam asgjë për këtë. Dhe dikush e publikoi videon në YouTube. Dikush e merr nga YouTube, e vendos në TikTok, e bën remiks…dhe mua as që më kujtohej që e kisha incizuar atë këngë”, tha artistja shqiptare.

Kur artistja me origjinë shqiptare e ndeshi këngën e remiksuar papritmas në TikTok, Bebe tha: “Isha sikur, ‘Oh Zot! Ne kishim një ide për të ripërpunuar këtë këngë. Do të doja të kishim vazhduar me të’, dhe unë kisha dikë në ekipin tim që thoshte: ‘Jo, Bebe. Ajo je ti”.