Në Kumanovë, “specialiteti” më i ofruar për shqiptarët është diskriminimi!

Shkup, 27 shkurt – Shqiptarët kudo jetojnë në Maqedoninë e Veriut sado që të mburren që kanë bartës të institucioneve të rëndësishme, sërish përballen me diskriminime të instancave të ndryshme. Pra, është bërë sikurse rutinë çështja e diskriminimit të shqiptarëve, sidomos në Kumanovë. Qyteti i Kumanovës për dy mandate udhëhiqet nga Maksim Dimitrievski, e përgjatë dy mandateve ka pasur dhjetra raste ku në mënyrë të hapur ky kryetar ka diskriminuar shqiptarët. Por, diskriminimet nuk vijnë vetëm nga kryetari i Komunës, vijnë nga çdo bartës, apo thënë më qartë secili që ka mekanizma dhe kompetenca të diskriminojë në baza etnike këtë e bënë pa u menduar dy herë. Diskriminimi i fundit është bërë nga drejtoresha maqedonase e shkollës të muzikës në Kumanovë, “Pançe Peshev”, e cila nuk drejton asgjë. Ajo ka penguar nxënësit shqiptarë që të marrin pjesë në një koncert që ta përfaqësojnë shkollën. E këtë e ka bërë veçse etniteti nxënësve është shqiptarë. E ndaj këtij diskriminimi mësimdhënësit shqiptarë nuk qëndruan duarkryq rastin e paraqitën në media dhe alarmuan opinion se me çfarë udhëheqës barbar kemi të bëjmë, që urrejtjen ndaj shqiptarëve e shprehin edhe ndaj fëmijëve, shkruan Zhurnal.

Diskriminim i nxënësve shqiptarë në shkollën fillore të muzikës në Kumanovë –

Ditë më parë dhjetëra nxënës shqiptar të shkollës fillore të muzikës “Pançe Peshev” në Kumanovë mbetën me instrumente në duar dhe nuk realizuan koncertin me muzikë serioze që duhej të mbahej në Qendrën e Kulturës. Sipas prindërve dhe mësimdhënësve shqiptar shkak i anulimit të koncertit është drejtoresha e shkollës, gjegjësisht ushtruese e detyrës, Sandra Zojçevska, e cila sipas mësimdhënësve kishte urdhëruar që nxënësit në këtë koncert mos të prezantohen si nxënës të shkollës amë, paralelja në gjuhën shqipe. 

Janë të shumta pakënaqësitë nga prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit shqiptar të shkollës fillore të muzikës “Pançe Peshev” në Kumanovë. Këto të fundit ankohen për diskriminim në baza etnike nga ana e drejtueses së kësaj shkolle, Sandra Zojçevska e cila ditë më parë pengoi nxënësit edhe të përfaqësonin shkollën në një koncert. Mësimdhënësit shqiptarë janë ankuar edhe për orë të stërngarkuara, mungesë kuadri dhe mos dhënie të pëlqimeve për punë.

“Shpesh ka ndodh që ka hy në klasën time, me sjellje shumë të pahijshme, bile edhe në sy të nxënësve. Nuk di si ta shpjegoj sjelljen e saj se nuk ka fjalë të mira për ato sjellje. Shpesh bile kam pas edhe ankesa nga prindërit se fëmijët kanë qenë të traumatizuar nga ngjarjet, që e kanë pa rastin mes meje dhe drejtoreshës. Tendenca ka qenë që numri jonë të jetë sa më i ulët, të mos ketë nxënës. Shkatërrimi i paraleles është qëllimi kryesor i drejtoreshës. Momentalisht, këtë vit kam orë jashtë numrit të normales, jashtë fondit të plotë”, tha Ariana Jashari, mësimdhënëse. /Alsat.mk

Çfarë ka ndodhur në të vërtetë sqaron profesori Rami Mustafa përmes një reagimi në profilin e tij, ku shpreh indinjatë publike –

“Shtëpia e kulturës “Trajko Prokopiev” ka shpallur thirrje publike për pjesëmarrje për të gjithë artistët e rijnë. Ne si mësimdhënës pranë shkollës fillore të muzikës “Pançe Peshev” Kumanovë paralelja me mësim në gjuhën shqipe e pamë të arsyeshme të marrim pjesë me 15 pika prezantuese ku do të përfshiheshin nxënësit e kësaj paralele. Këtë iniciative e bëmë gjithmonë duke u thirrur në programin për zhvillim arsimor nga byroja për zhvillim arsimore në RMV ku parashihen aktivitete jashtë mësimore. Një javë para U.D Drejtoresha ka qenë e informuar gojarisht më pastaj për ta respektuar hierarkinë dhe rregullat që përcaktohen me ligj sipas ligjit për arsim fillore, e informuam zyrtarisht për këtë koncert duke ia bashkangjitur edhe kërkesën për lirimin nga mbajta e orëve mësimore për ti realizuar këto aktivitete me nxënësit” ka shkruar Mustafa.

Mes tjerash ai ka treguar edhe për veprimin vandaloz të ushtrueses së detyrës, drejtoreshës e cila në mënyrë të prerë dhe rigoroze ka kërkuar që ky koncert të anulohet.

“Ud drejtoresha i bën thirrje telefonike drejtorit të qendrës për kulturë. Me qëndrim të prerë kërkon nga drejtori që koncerti i paraparë në asnjë mënyrë nuk guxon të prezantohet si koncert i nxënësve të paraleles me mësim në gjuhën shqipe pranë shkollës fillore të muzikës “Pançe Peshev”, duke u marrë të drejtën paraleles në gjuhën shqipe si shkollë amë. Ne si mësimdhënës morëm vendim që ta anulojmë këtë koncert duke parë se nuk ka disponim të mire nga ana e ud. drejtoreshës dhe konstatuam se ka diskriminim etnik”, ka përfunduar Mustafa.

Kur nuk ka harmoni në një bashkësi duhet ndarje ose nënshtrim?

Paralelja në gjuhën shqipe që funksionon në kuadër të kësaj shkolle është diskriminuar në mënyrë të hapur dhe publike, por nuk është vetëm ky rast sipas asaj që tregojnë mësimdhënësit në këtë shkollë si mësimdhënësit ngjashëm edhe nxënësit qenkan në presion të vazhdueshëm nga drejtoresha në fjalë.

Prandaj, zgjidhja ideale dhe e qëndrueshme për kohë të gjatë do të ishte ndarja e paraleles në gjuhën shqipe që të funksionojë e pavarur nga kjo shkollë fillore që po proklamon diksiminim etnik. Si dhe të angazhohen kuadër mësimdhënës me fond të plotë të orëve, dhe të paguhen për aq sa punojnë. Sepse, në këtë formë mësimdhënësit punojnë më shumë se sa paguhen, përshkak të numrit të lartë të nxënësve shqiptarë që regjistrohen në këtë shkollë. /Zhurnal.mk