KB-ja do të shënojë përvjetorin e pushtimit rus ndaj Ukrainës me një rezolutë që bën thirrje për paqe

Në prag të përvjetorit të parë nga pushtimi rus, Ukraina dhe Rusia po lobojnë mes vendeve të KB-së për mbështetje para votimit në Asamblenë e Përgjithshme nga 193 anëtarët, për çka SHBA-ja tha se “do të hyjë në histori”.

Asambleja e Përgjithshme pritet që sot të miratojë një rezolutë të propozuar nga Ukraina dhe mbështetësit e saj, në të cilën theksohet “nevoja që të arrihet sa më shpejtë paqe gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e përhershme” në përputhje me Konventën e KB-së.

“Do të shohim si është qëndrimi i popujve në botë lidhur me çështjen për paqe në Ukrainë”, deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme ambasadorja amerikane në KB, Linda Tomas Grinfilld. 

Sekretari i Përgjithshëm i KB-së Antonio Guteresh dënoi pushtimin rus dhe theksoi: “Të gjithë anëtarët e organizatës do të përmbahen në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi me forcë ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti ose në ndonjë mënyrë tjetër të papajtueshme me qëllimet e Kombeve të Bashkuara”.

Draft-rezoluta e KB-së, e cila nuk është detyruese, por ka peshë politike, e përsërit kërkesën e Asamblesë së Përgjithshme të vitit të kaluar që Moska të tërheqë trupat e saj dhe t’i japë fund armiqësive. Rusia e përshkroi tekstin si “të pabalancuar dhe antirus” dhe u kërkoi shteteve të votojnë kundër tij.