Shkupi nuk largohet dot nga lista e qyteteve më të ndotura në botë!
Shkup, 21 shkurt – Se mjedisi në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje primare dhe nuk i kushtohet rëndësia e duhur është dëshmuar shumë herë, madje duke pasur edhe rezultate katastrofale për sa i përket nivelit të ndotjes së ajrit, duke u radhitur kryeqyteti i vendit, Shkupi, si qyteti me ajrin më të ndotur në botë. E kjo gjendje dhe kjo situatë jo e përshtatshme me mjedisin nuk është e rastësishme, por vjen si pasojë e udhëheqjes së dobët me këtë institucion njerëzit jo relevant që nuk ia kanë “haberin” mjedisit, e për këtë gjë as që brengosen. Figura që nuk kanë treguar asnjë rezultat pozitiv në përmirësim të gjendjes së shkatërruar të mjedisit. Qyteti i Shkupit rikthehet sërish në top 10 qytetet me ajër më të ndotur në botë. Ndërkaq, nga Qeveria bëjnë rokadë ministrash pikërisht me këtë Ministri sepse e shohin si resor jo të rëndësishëm dhe e kanë si kusur ndaj partnerëve të koalicionit, për ta bë dikë ministër, shkruan Zhurnal.
Shkupi i katërti në botë për ndotjen e ajrit-
Qyteti i Shkupit rikthehet në top 10 qytetet me ajër më të ndotur në botë. Shkupi është radhitur i katërti në botë, me indeks të ndotjes 163. E gjitha kjo vjen pasi që erërat e forta janë qetësuar dhe ajri është përsëri i ndotur pothuajse në të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut.
Sa i përket qytetit të Shkupi, lagjja e Lisiçes ishte më e ndotura në këtë fundjavë, me një koncentrim ditor të grimcave PM10 prej 159 mikrogramë për metër kub të shtunën dhe 113 të dielën, dhe koncetrimet për orë në këtë zonë arritën deri në 400 mikrogramë. Në zonën perëndimore, qyteti më i ndotur ishte Kërçova, ku të shtunën vlera e grimcave PM10 ishte 147 mikrogramë për metër kub, ndërsa të dielën ishte 103.
Në zonën lindore, qyteti i Strumicës është me ajër më të ndotur, ku vlera ditore e grimcave PM 10, të premten, ka qenë 144 mikrogramë për metër kub , të shtunën 132, ndërsa të dielën 110. Ndërsa, hiç më mirë s’ka qenë edhe Velesi, në këtë qytet nga data 8 shkurt deri më 11 shkurt, vlera ditore e grimcave PM10 është mbi 100, dhe më e larta ka qenë më 9 shkurt, 148 mikrogramë për metër kub . Ndërkaq, ende nuk funksionojnë stacionet matëse në Kumanovë, Koçan dhe Gjevgjeli dhe banorët e këtyre qyteteve nuk kanë të dhëna për nivelin e ndotjes së ajrit.
Përndryshe, në periudhat kur funksiononte stacioni i Kumanovës, ky qytet shfaqte vlerat më të larta të ndotjes nga të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut.
Çfarë do të thotë kjo për shëndetin e njerëzve?
Disa individë mund të përjetojnë efekte shëndetësore, ndërsa individë të tjerë që bëjnë pjesë tek grupet e cenueshme mund të përjetojnë efekte shëndetësore më serioze.
Për fëmijët nga 0-5 vjet, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, shtatzënat, të sëmurët nga astma dhe me SMOK personat që punojnë në mjedise të hapura, personat me diabet, por edhe duhanpirësit) rreziku nga shfaqja e dëmtimeve të rënda në zemër rritet për 3-4 herë. Ata me sëmundje respiratore ekzistuese janë më të rrezikuar. Edhe pse të rinjtë dhe fëmijët mbi 5 vjeç nuk bëjnë pjesë në grupet e popullatës me rrezik të lartë, kjo nuk do të thotë se shëndeti i tyre nuk mund të ndikohet nga ekspozimi afatshkurtër ndaj përqendrimeve të larta të ndotësve.
Pasojat nga ajrit ndotur?
Ndotja e ajrit është shkaku më i madh i vdekshmërisë së parakohshme dhe rritja e numrit të sëmundjeve tek njerëzit. Është rreziku më i madh ekologjik për shëndetin e qytetarëve në Evropë, ku sipas të dhënave të EEA dhe OBSH, është shkaku i rreth 400,000 jetëve të humbura në mënyrë të parakohshme. Sipas analizës së Bankës Botërore, ndotja e ajrit kushton shtetin rreth 2.5% të PBB vjetore për shërbime shtesë të kujdesit shëndetësor, ose 300 milionë euro në vit.
Për shkak të një numri faktorësh socio-ekonomikë, ndotja e ajrit po rritet nga viti në vit, situata po përkeqësohet dhe bëhet alarmante. Analiza të caktuara dhe modelimi i shkarkimeve të substancave ndotëse për ngrohjen e familjeve në luginën e Shkupit tregojnë se ndotja do të rritet me 30% deri në vitin 2025 përveç nëse nuk marrin masa të menjëhershme sistematike për të reduktuar emetimet. Këto shifra do të jenë edhe më të larta nëse emetimet do të shtohen nga sektorë të tjerë, siç është transporti, pjesa e ndotjes të të cilit po rritet më së shpejti çdo vit.
Me ministra që nuk brengosen dot nga ndotja e ajrit, deponitë që të zënë sytë pothuajse në secilin qytet, hapësira të gjelbra që mund të shihen vetëm po u vendosen “syze të gjelbra”, mungesë e parqeve, e shumëçka tjetër mjedisi vazhdon të mbetet në greminë. /Zhurnal.mk

