Pjetër Shala: Akuzat ndaj meje janë trillime, jam i pafajshëm
E plotësuar: Prokurori i ZPS-së, ka paraqitur para trupit gjykues akuzat për të cilat akuzohet Pjetër Shala.
Prokurori ka thënë se Shala akuzohet me katër akuza për krime lufte, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme të gjitha këto të kryera në fabrikën e metalit në Kukës.
“I akuzuari ngarkohet me këto vepra penale. Akuzohet si anëtarë i ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ka thënë Prokurori.
Gjykatësja pastaj ka pyetur Pjetër Shalën se a i kupton akuzat më të cilat ngarkohet.
Shala ka thënë se nuk i pranon.
“I kuptoj por nuk i pranoj të gjitha janë shpifje dhe trillime. Jam i pafajshëm”, ka thënë Shala.
Nis gjykimi ndaj Pjetër Shalës
Në Hagë ka nisur gjykimi ndaj Pjetër Shalës, i cili akuzohet për krime lufte.
Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/


