Kurti: Jam optimist se marrëveshja me Beogradin do të arrihet këtë vit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është “optimist i madh se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të arrihet këtë vit”.

“Mendoj se takimi i ardhshëm në Bruksel do të shpërfaq se sa mund të shpresojmë këtë vit. Unë jam optimist, jam shumë optimist se mund të arrihet një marrëveshje këtë vit”, deklaroi Kurti për Frans 24 gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Ai shtoi se për një rezultat të tillë ka nevojë për përfshirje të madhe të bashkësisë ndërkombëtare. 

Kurti vlerësoi edhe se marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit “nuk janë normale”.

“Ne duam normalizim të plotë me qendër në njohje reciproke dhe besoj se diplomacia lëvizëse dhe takimet e nivelit të lartë, që do të ndodhin këtë vit, do të na sjellin më afër që të arrihet kjo marrëveshje, bazuar në propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania”.

Në pyetjen nëse mund të arrihet marrëveshje tashmë në takimin më 27 shkurt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai tha se deri më tani nuk mund të thotë kur do të bëhet marrëveshja.

Në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe, Kurti tha se ai është vetëm një pjesë e marrëveshjes nga Brukseli para 10 viteve, ndërsa ka pasur gjithsej 33.

“Të gjitha ato marrëveshje do të jenë temë e takimeve. Një prej tyre, natyrisht, është marrëveshja që përmban AKS, e cila nuk e kaloi testin e Gjykatës sonë Kushtetuese. Nisma franko-gjermane nuk mund të kthehet në një tryezë suedeze, nga e cila secili mund të zgjedhë atë që dëshiron. Kemi edhe marrëveshje të tjera që kanë një rëndësi të madhe… Ka shumë për të diskutuar, ndërsa do të vijë koha për AKS-në”, deklaroi Kurti për Frans 24