Mbyllet xhamia në Halabak pas incidentit të mbrëmshëm
Mbrëmjen e djeshme është raportuar një rrahje në xhaminë e Halabakut e shkak për këtë dyshohet të jetë ndërrimi i imamit.
Banorët nuk po pajtohen me imamin që është caktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Në lidhje me këtë incident ka reaguar Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë, që dënojnë incidentin e ndodhur, teksa shprehen të shqetësuar.
“Njoftojmë opinionin publik se ne më parë për atë xhami kishim lëshuar autorizim për kryerje të riteve fetare deri në një vendim i cili do të ishte unifikues për të gjithë banorët e atij fshati.
Tani, kur pakënaqësitë janë thelluar, ne, përkohësisht e kemi mbyllur xhaminë, deri në një vendim tjetër”, thuhet në reagimin e tyre.
BIK-u ka bërë të ditur se po angazhohet që ta ruaj qetësinë mes banorëve.
“Bashkësia Islame tërë angazhimin e saj po e bënë për të ruajtur qetësinë mes banorëve. Duhet ditur se xhamitë janë vend paqeje dhe i qetësisë shpirtërore, ndaj bëjmë thirrje për përmbajtje dhe mirëkuptim deri te një vendim sa më unifikues”, thuhet mes tjerash.

