“Luna Park projekti që po i ndryshon kryetarët, por asesi të ndryshojë formën nga projekti në letër të shihet në vepër”
Shkup, 17 shkurt – Qytetarët e lodhur nga politika kanë nevojë për argëtim, por u mungojnë vendet për çlodhje dhe argëtim, pasi pikërisht këta politikanë të papërgjegjshëm zvarrisin projektet me vite të tëra, dhe një park e premtojnë tre kryetarë komunash por asnjëri e as tjetri nuk e realizuan ende. Bëhet fjalë për parkun e përmasave të mëdha të njohur si “Luna Park”, që ende nuk po i shihet fundi. Ish-kryetari i komunës Petre Shilegov e ndërpreu projektin e nisur nga paraardhësi i tij Koce Trajanovski me arsyetimin se do ta zhvendos në një hapësirë edhe më të madhe dhe më të përshtatshme. Pra, edhe pse ishte paraparë si projekt të realizohej përgjatë viteve 2013-2015, tani tetë vite më vonë ky projekt ende nuk është realizuar. E nuk dihet edhe sa vite do të zgjatë deri në realizim, me një kryetare si Arsovska e cila erdhi në krye të Shkupit si shpresë ndryshimi dhe u bë shembull dëshpërimi, shkruan Zhurnal.
“Luna Park” projekti që nuk po sheh dritë realizimi, kush e premtoi?
Në shkurt të këtij viti, pushteti aktual i Qytetit të Shkupit miratoi një projekt të ri me të cilin planifikohet rregullimi i parkut të ri argëtues deri në vitin 2024. Këtë gjë e kishin premtuar edhe dy ish kryetarët para Arsovskës, Koce Trajkovski nga VMRO, dhe Petre Shilegov nga LSDM, por asnjëri e as tjetri nuk e realizuan.
Tani shpresat ishin te kryetarja e “pavarur” e përkrahur nga VMRO-DPMNE e cila kishte premtuar në platformën e saj me të cilën ka garuar në zgjedhje se në gjysmën e parë të mandatit gjithçka do të jetë gati. Por, në realitet asgjë nuk është gati.

Por ky projekt zanafillën e ka shumë më herët, që kur erdhi në krye të komunës së Shkupit në zgjedhjet lokale të vitit 2009, ish kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski shumë herë lajmëroi ndërtimin e Parkut të lojërave. Trajanovski këtë premtim e dha edhe në programin zgjedhor në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kur u rizgjodh i pari i kryeqytetit. Në program thuhej se projekti do të realizohet me rrugë të partneritetit publiko-privat, në periudhën 2013-2015, megjithatë, në korniza të këtij afati, Qyteti i Shkupit nuk gjeti investues, gjegjësisht nuk filloi me realizimin e projektit të paralajmëruar.
Siç publikuan mediumet kah fundi i vitit 2015, qyteti vendosi që me mjetet e veta të ndërtojë parkun e lojërave në disa faza. Faza e parë filloi në pranverën e vitit 2017, ndërsa informatat nga komuna ishin se i gjithë projekti duhet të kompletohet në vitin 2018. Duke pasur parasysh se parku i ri për argëtim ishte në fazën e ndërtimit, sipas metodologjisë së “Vërtetmatësit”, ky premtim parazgjedhor i Trajanovskit kishte marr notën “duke u realizuar”. Por, edhe përkundër kësaj përpjekje nga viti 2018 kanë kaluar 5 vite dhe ende parku nuk është përfunduar.
Pikërisht në vitin që ishte menduar të përfundonte projekti i “Luna Park” u pezullua pas një ndryshimi në zyrtarët e qytetit. Me ardhjen e Petre Shilegov në krye të qytetit, lindi një ide e re për paraqitjen e këndit më argëtues të Shkupit. Shilegov tha se e ka ndërprerë zbatimin për shkak se menaxhmenti i tij kishte një koncept të ri për pamjen dhe përmbajtjen.
Në buxhetin e vitit 2019 të Qytetit të Shkupit, Shilegov kishte ndarë mjete për ndërtimin, blerjen dhe vendosjen e rekuizitave. Shilegov bëri të ditur se shuma totale do të kushtojë 1.3 milionë euro, se do të zë hapësirën e diskotekave aktuale verore, se në vend të Luna Park do të quhet “zbavitës” dhe do të ofrojë argëtim për mosha të ndryshme.
Kur pritet të realizohet “Luna Park”?
Në vitin 2021, me zgjedhjen e Danela Arsovskës për kryetare të re të Shkupit, pati informacione të reja edhe për të parkut të shumë të premtuar e tashmë lirshëm mund të quhet si projekt i vjetruar “Luna Park”. Në një konferencë për media, ajo tha se do të vazhdojë projektin e nisur nga kryetari i mëparshëm, se kanë trashëguar 7 rekuizita që duhet të vendosen, si dhe 20 të tjera që duhet të tenderohen dhe duhet të prokurohen.
Ajo bëri të ditur se në fillim të vitit 2022 me buxhetin e ri do të fillojë fillimisht me rregullimin e katit përdhes, montimin e elementeve që tashmë janë blerë dhe më pas blerjen e pjesës tjetër të rekuizitave që do të futen gradualisht në Luna Parkun e ri. Në vjeshtën e vitit 2023 do të ketë Luna Park, tha Arsovska. Në njoftimin e fundit të Qytetit të Shkupit, thuhet se Luna Park do të shtrihet në 24 mijë metra katrorë dhe do të kushtojë 6,5 milionë euro.
Kujtojmë që, në studimin për koncesionet për realizimin e parkut argëtues në qytetin e Shkupit nga janari 2011, parashikohej që parku argëtues në një periudhë 25 vjeçare të arrijë një frekuentim vjetor prej rreth 200.000 vizitorë, me frekuentim ditor deri në 3.000 vizitorë. /Zhurnal.mk

