Një fëmijë 12-të vjeç u nxor i gjallë nga rrënojat në Antakia 260 orë pas tërmeteve
Një tjetër mrekulli ndodhi në Turqi, pasi një fëmijë dymbëdhjetë vjeç u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese në Antakia, të provincës Hataj, 260 orë pas tërmeteve shkatërruese që goditën pjesët jugore të Turqisë të hënën e javës së kaluar, raporton Anadolia.
Ekipet e kërkim-shpëtimit nga nën rrënojat e një ndërtese në lagjen Ekinci nxorrën fëmijën Osman Halebija, shtetas i huaj.
Ai u nxor i gjallë nga rrënojat 260 orë ose gati 11 ditë pas tërmeteve shkatërruese.
Pas aksionit të shpëtimit ai me automjetin e Ndihmës së shpejtë është dërguar në spital.
Anadolia paraprakisht publikoi se në provincën Kahramanmarash është nxjerrë një grua 42 vjeçare, e cila ka mbijetuar 257 orë nën rrënoja.
Sipas të dhënave të fundit, në tërmetin shkatërrues në Turqi humbën jetën 38.044 njerëz.

