Mehaj takohet me Stoltenberg: Jemi të gatshëm të strehojmë 5 mijë refugjatë ukrainas

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka marrë pjesë në takimin e nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, në të cilën morën pjesë 54 shtete, ku u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Mehaj në Facebook ka njoftuar se gjatë takimit të tij dhe gjenerallejtënant Bahkim Jashari me Stoltenberg, ka shprehur gatishmërinë e Kosovës që të strehojë 5 mijë refugjatë nga Ukraina, dhe ka ofruar mbështetjen e Kosovës për të trajnuar ushtarët ukrainas në deminim, kërkim-shpëtim dhe eliminim të materieve të rrezikshme, përcjell arbresh.info.

“Gjatë takimeve që bashkë Gjenerallejtënant Jasharin kisha me Stolterberg, Ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Ministren e Mbrojtjes së Letonisë, Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO , Visho Ajazi Lika edhe një herë shpreha gatishmërinë tonë si Qeveri e si Ministri e Mbrojtjes që në çdo kohë të strehojmë 5000 refugjatë ukrainas, e po ashtu të ofrojmë mbështetjen përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.”, ka shkruar Mehaj.

Tutje, ai ka thënë se Kosova e kupton mirë luftën e Ukrainës për liri dhe rolin e ndërkombëtarëve në këtë situatë.

Ai theksoi se Kosova është e gatshme të ofrojë gjithmonë ndihmë, me aq sa ka kapacitet.