Lëvizja Besa parti e vetme opozitare, Alternativa për momentin është në kërkim të busullës!

Shkup, 14 shkurt – Lëvizja Besa është parti e cila ekziston dhe funksionon që nga themelimi, mbase nuk është produkt i ndonjë fraksioni apo pakënaqësie përbrenda ndonjë subjekti. Pra, e tillë është themeluar dhe si e tillë po funksionon ende duke qëndruar më e fuqishme se asnjëherë. Lëvizja Besa në krye me Bilall Kasamin është partia shqiptare e cila arriti ta “dëbojë” partinë më të madhe dhe më jetë gjatë në pushtet, BDI-në, nga selia e partisë së tyre, Tetovë. Në kampin politik shqiptarë po ndodhin ngjarje dramatike, Aleanca për Shqiptarët si partia më konzistente e lëshoi bajrakun dhe u fut në Qeveri. Alternativa u dëbua nga Qeveria pasi u zhvesh nga gjitha pozitat, Kovaçevski i la “lakuriq”, dhe kjo parti ka humbur orientimin në hapësirë është në kërkim të busullës dhe po dëshiron të jetë ëndërr e gjithë kjo që ka ndodhur ditëve të fundit. BDI si partia më e madhe shqiptare është duke u përballur me krizën brendapartiake, grupi i zjarrit në mënyrë intensive po lëshon nxehtësi dhe po krijon pasiguri në ruajtjen e unitetit partiak, shkruan Zhurnal.

Çfarë po ndodhë në kampin politik shqiptarë?

Skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut është në një kaos të vërtetë që vështirë të ndahet shapi prej sheqerit. Kemi të bëjmë me shumë parti politike por që pothuajse asnjëra prej tyre nuk janë në gjendje stabile, në përjashtim të Lëvizjes Besa të cilët siduket po veprojnë me mençuri dhe maturi politike duke shfrytëzuar këtë situatë kaotike.

Bashkimi Demokratik për Integrim është partia më e madhe shqiptare dhe më jetë gjatë në pushtet, deri tani ka qenë më e unifikuar dhe shembull për funksionimin brendapartiak. Por, tani më është pjesë e kaluarës kjo situatë, sepse BDI po rrezikon për një çarje të brendshme që do të ketë shumë pasoja për këtë parti. Një pjesë e boshtit të partisë si bashkëthemelues janë të pakënaqur dhe kanë formuar një grup të njohur në opinion si grupi zjarrit. Këto të fundit kanë filluar me takime intensive me qytetarët dhe vetëm sa nuk janë ndarë zyrtarisht, sepse në praktikë janë ndarë tërësisht.

Aleanca për Shqiptarët pasi ndërroi kryetarin e partisë, larguan liderin dhe themeluesin, Ziadin Sela, sollën në krye të partisë kryetarin e Gostivarit një kryetar të suksesshëm lokale për t’i prirë partisë duke shpresuar që suksesin në Gostivar do ta transmetojë edhe në nivel nacional. Por, sidoqoftë ndryshimi i kryetarëve të partisë duhet të jetë praktikë normale dhe shumë e nevojshme për rifreskim përbrenda partive.

Por, ndryshimi i kryetarit të partisë nuk nënkupton ndryshim të orientimit të partisë, sepse dikur Aleanca për Shqiptarët ishte partia më anti qeveritare dhe kundërshtuese e pakompromistë e punëve të këqija të pushtetit, e tani gjithë ajo kauzë e ndërtuar ndër vite po rrënohet për më pak se një vit për tu ulur në karriget qeveritare. Ky veprim i Aleancës për Shqiptarët zbehi kampin politik shqiptarë opozitar, duka ia kaluar stafetën Lëvizjes Besa se kryesues me opozitën shqiptare.

Alternativa është partia më pa fat në vend sa fillojnë të ecin rrëzohen. Jo sepse i pengon ndokush gjatë ecjes por pasi janë mësuar të ecin duke i mbajtur ndokush për dore. Alternativa si fraksion nga Lëvizja Besa rrezikonte se si parti e themeluar të shkatërrohej tërësisht nga skena, por kërkoi nga ASH një koalicion bashkëpunimi për të garuar në zgjedhje bashkë, ky koalicion ishte oksigjen për Alternativen të cilët ishin në “vdekje klinike”. Por, Alternativa e keqpërdori këtë ndihmë, ishte mosmirënjohëse, dhe e tradhtoi ASH-në duke e shkelë një prej pikave të marrëveshjes në bashkëpunimin e tyre. Alternativa në mundësinë e parë u fut në pushtet, por nuk i zgjati shumë tani është nxjerrë nga dritaret e zhveshur tërësisht nga pozitat dhe me leksionin që kur vrapon me marr atë që nuk e meriton, nuk të zgjatë shumë. Alternativa po ka dëshirë të quhet tani si parti opozitare, por të paktën këtë muaj do të quhet si parti e dëbuar dhe qyqare.

Lëvizja Besa e vetme në skenën opozitare shqiptare-

Pas hyrjes së ASH-së në Qeveri, Lëvizja Besa ngeli e vetme në kampin politik shqiptar opozitar, dhe kjo e vështirëson garën politike edhe më shumë. Lëvizja Besa doli nga Qeveria, duke e konsideruar si jo korrekte hyrjen e Alternatives atë kohë në Qeveri. Prandaj, pas daljes së Besës nga Qeveria besimi i qytetarëve u rikthye në këtë parti, madje duke ia dhënë besimin dhe mundësinë që BDI-në ta dëbojë nga qyteti i selisë, Tetova.

Bilall Kasami, fitoi bindshëm dy herë në Tetovë përballë oponentëve politik dhe aparatit shtetëror, dhe kjo fitore e tij në një ndër komunat më të rëndësishme për shqiptarët është dëshmi se shqiptarët tashmë kanë një derë ku të trokasin nëse janë të pakënaqur nga ekzekutivi aktual.

Prandaj, nga situata aktuale politike në vend Lëvizja Besa merr epitetin si parti e vetme opozitare në kampin shqiptarë deri sa të orientohet dhe ta gjejë busullën Alternativa. Kjo situatë aspak nuk është e favorshme për shqiptarët, pasi sa më shumë përçarje dhe mos unifikim aq më shumë defaktorizim. Por, janë inatet e patejkalueshme, mungesa e përvojës politike si dhe mbi të gjitha që i kalon të gjitha është interesi partiak për të kërkuar një copë pushteti pavarësisht se për sa kohë. /Zhurnal.mk