Ekskluzive/ Escobar nga departamenti amerikan nuk i njeh maqedonaset në RMV, u referohet me “ortodoks”!!!
Shkup, 7 shkurt – Intervistë ekskluzive e Gabriel Escobar mbi pamjen e Ballkanit Perëndimor nga brenda Departamentit të Shtetit Amerikan, kjo intervistë është realizuar nga e famshmja “The Pavlovic Today”(PV), nga gazetarja Ksenija Pavlovic e cila është edhe kryeredaktore dhe themeluese PV. Në këtë intervistë ekskluzive, Escobar ofron një pamje të Ballkanit Perëndimor nga brenda Departamentit të Shtetit Amerikan. Ai flet për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, “ndikimin malinj” të Rusisë në rajon dhe vizionin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Por, ajo që bie në sy dhe është vërejtur nga redaksia Zhurnal është fakti që përgjatë kësaj interviste kur është pyetur Escobar në veçanti për Maqedoninë e Veriut, ai ka thënë fjalë të mira për sa i përket bashkëjetesës në RMV, por me ose pa dashje popullit maqedonas i është referuar vetëm si ortodoks. “Maqedonia e Veriut është një shembull i vërtetë i bashkëjetesë paqësore mes shqiptarëve dhe ortodoksëve” ka thënë Escobar. Duke përmend shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq ka injoruar maqedonasit dhe ka zgjedh përkatësi religjioze para asaj etnike për t’i identifikuar, shkruan Zhurnal.
Escobar me intervistë ekskluzive për “The Pavlovic Today” flet për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht edhe për Maqedoninë e Veriut-
Gabirel Escobar është i dërguari i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor. Ai së fundmi ka realizuar një intervistë ekskluzive për “The Pavlovic Today”, fokusi kryesor i kësaj interviste ka qenë situata tashmë e qetësuar mes Kosovës dhe Serbisë, por që nevojitet vetëm një shkëndijë e vogël për të tensionuar sërish. Ka folur më shumë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dyja shteteve, por mes tjerash ai është pyetur edhe për shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ajo që ka vërejtur redaksia Zhurnal gjatë leximit të kësaj interviste është një fakt shumë interesant për sa i përket përgjigjes së Escobar kur është pyetur për Maqedoninë e Veriut, ai flet për një progres por mes tjerash potencon një sukses apo të arritur të vendit për sa i përket bashkëjetesës mes qytetarëve. Por, kur jemi te qytetarët Escobar potencon në mënyrë precize vetëm qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke anashkaluar ato maqedonas dhe të njëjtëve duke iu referuar me përkatësi religjioze si “ortodoks”.
Interesante është kjo përgjigje e Escobar pasi kemi të bëjmë me një diplomat që e njeh mirë rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe nuk ka qenë mungesa e informacioneve për këtë përgjigje që lë hapësirë për diskutim. Mes tjerash ende mbetet enigmatike arsyeja e kësaj përgjigje me përplot mesazhe.
Pas pyetjeve të shumta përgjatë intervistës, gazetarja Pavlovic ka vijuar me një pyetje urgjente apo të shpejtë për Escobar posaçërisht për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Escobar preferoi të fillojë të përgjigjet me Maqedoninë e Veriut.
“Le të fillojmë me Maqedoninë e Veriut, e vetmja gjë që ata po e bëjnë siç duhet, e vetmja gjë që kanë bërë mirë është që Maqedonia e Veriut në kontekstin e një rajoni karakterizohet në shumë aspekte në anë negative nga rivaliteti etnik. Maqedonia e Veriut është një shembull i vërtetë i bashkëjetesë paqësore mes shqiptarëve dhe ortodoksëve. Pra, tani është një shtet demokratik qytetar model. Tani, ajo që duhet të bëjnë urgjentisht është që të ecin përpara për të zbatuar marrëveshjet për atë që janë edhe duke punuar për ndryshimet kushtetuese”, tha Escobar.
Kujtojmë që, sipas Entit Shtetërorë për Statistika nga rezultatet e publikuara të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Sipas përkatësisë fetare 46,14% e banorëve janë deklaruar si të krishterë ortodoks, 32,17% si myslimanë, 0.37% si katolikë. Ndërsa pjesa tjetër janë deklaruar si protestantë, agnostikë, budistë dhe religjione tjera. Pra, pjesa më e madhe e qytetarëve janë ortodoks, ku në mesin e tyre ka edhe shqiptarë.
Megjithatë, përpos kësaj që e cilëson si vlerë të Maqedonisë së Veriut, bashkëjetesën mes qytetarëve, sipas Escobar shqiptarëve dhe ortodoksëve, ai ka folur edhe për aktualitetin politik në vend për sa i përket ndryshimeve Kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
“Tani, preambula e tyre tashmë njeh disa grupe etnike. Unë nuk mendoj se kjo është një çështje. Dhe gjithashtu mendoj se Maqedonia e Veriut ka një histori mjaft të mirë në mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Por ata duhet ta bëjnë këtë. Dhe, ne shpresojmë që ata ta bëjnë këtë(ndryshimet Kushtetuese). Dhe, ne shpresojmë që atëherë më në fund do të hapim plotësisht derën për integrimin e tyre evropian, sepse për të qenë i sinqertë, Maqedonia e Veriut mund të mbyllë kapitujt shumë shpejt. Ata janë të prirur për reforma”, ka shtuar Escobar.
Kush është Gabirel Ecobar?
Gabriel Escobar është i dërguari i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor, që nga shtatori i vitit 2021. Ai është diplomat me përvojë dhe e njeh mirë të gjithë rajonin e Ballkanin. Escobar në gusht të vitit 2019 u emërua në postin e zëvendësshefit të misionit në Ambasadën amerikane në Beograd. Më herët, ai kishte shërbyer si i ngarkuar me punë në këtë ambasadë.
Nga viti 1998 deri më 2001, përfundoi katër turne radhazi në ish-Jugosllavi, ku ka shërbyer edhe si shef i stafit në Zyrën e përfaqësuesit të lartë në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës, shef i degës së ambasadës në Banja Llukë, zëvendësdrejtor i ekipit të Zyrës ndërlidhëse diplomatike të SHBA-së në Podgoricë dhe më 2001, pak pasi u rihap ambasada në Beograd ka shërbyer si shef i njësisë politike në Ambasadën amerikane.
Ndërkaq, në Byronë për Çështje Evropiane, Gabriel ka shërbyer si këshilltar për çështje politike dhe ekonomike në ambasadën në Lisbonë, zëvendëskëshilltar politik në Romë dhe zyrtar ushtarak politik në Pragë si dhe zëvendëskonsull në Moskë.
Gabriel, një diplomat karriere, është nderuar gjashtë herë nga Departamenti amerikan i Shtetit me Çmimin e Lartë të Nderit dhe një herë me Çmimin për Merita të Larta. Ai po ashtu është nderuar nga DASH-i për Çmimin për Shërbimin Civil si dhe ka marrë Çmimin për Shërbim Ushtarak. Po ashtu ai ka mbajtur pozita të larta në Ambsadën amerikane në Bagdad, në La Paz, Peshavar si dhe ka qenë udhëheqës i ekipit amerikan për rindërtim në Kirkuk të Irakut.
Gabriel Escobar ka diplomuar në Universitetin Colombia në Nju Jork dhe flet gjuhën spanjolle, ruse, italiane, serbe, çeke dhe portugeze.
Ndryshe, në Kosovë aktualisht po bën një presion të hatashëm për formim të Asociacionit të pakicave serbe, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ndërkaq, për Maqedoninë e Veriut ka dhënë një përgjigje interesante mesazhi i të cilës mbetet ende i koduar, për fjalët e mira të bashkëjetesës që ishin të shoqëruara me një injorim të etnitetit maqedonas, duke iu referuar me përkatësi fetare, për dallim prej qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut të cilëve i është referuar me përkatësi etnike si “shqiptarë”. /Zhurnal.mk
Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.

