Më shumë se gjysma e nxënësve shqiptarë në garë, por sërish testet vetëm në gjuhën maqedonase!
Shkup, 6 shkurt – Çështja e zbatimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut më shumë po ngjanë si çështje e një kauze që nuk shihet në praktike e për të cilën ka plotë mburrje e krenari. E dikur janë hapur edhe shampanjat në Shkup, Prishtinë e Tiranë për të festuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Kuvendin e RMV-së, por siduket ky zyrtarizim humbi shpejt sikurse “shkuma e shampanjës”. Madje, me sjelljen e këtij ligji në Maqedoninë e Veriut janë themeluar edhe dy insittucione të posaçme për të ndihmuar zyrtarizimin e gjuhës, si Agjencia për Zbatimin e Gjuhës dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhës që ka kompetenca ndëshkruese. Shkelje e mos respektim të gjuhës shqipe haset çdo ditë, rast i fundit është me testet në gara të matematikes që janë përgatitur vetëm në gjuhën maqedonase edhe pse pjesëmarrës në këtë garë ka pasur edhe nxënës shqiptarë. Më ironike se kaq, më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në këtë garë kanë qenë shqiptarë, pra 80 shqiptarë nga 155 gjithsej, por edhe kjo shifër nuk i ka bërë përshtypje që testet të përgatiten edhe në gjuhën shqipe. Megjithatë, edhe nëse do të ishte vetëm një nxënës shqiptarë e ka të drejtën e plotë që t’i nënshtrohet testimit në gjuhën e tij amtare, shkruan Zhurnal.
Gjuha shqipe sërish problematikë për maqedonasit, nuk e respektojnë dot-
Për shkak se testet kanë qenë vetëm në gjuhën maqedonase, nxënësit shqiptarë kanë braktisur një garë që është mbajtur sot në Shkup në lëndën e matematikës. Në garë kanë qenë 155 nxënës, prej tyre 80 shqiptarë. Disa prej prindërve kanë shprehur revoltën për këtë diskriminim të bërë nga përgjegjësit e Fakultetit të Matematikës, ku është përgatitur testi. Secili garues që ka marrë pjesë në këtë garë paraprakisht është dashur që të paguajë testin që ka kushtuar 300 denarë.
Dhjetëra nxënës, prindër dhe arsimtarë u mblodhën para objektit të Shkollës fillore “Kliment Ohridski” në Butel të Shkupit. Megjithëse 80 nxënës shqiptar nga klasa e pestë deri të nëntën ishin përgatitur për garat komunale në lëndën e matematikës, atyre testet u dhanë vetëm në gjuhën maqedonase, gjë e cila ka revoltuar mësimdhënësit nga tri shkollat e kryeqytetit që merrnin pjesë në këtë garë. Ata thane se nxënësve shqiptar ju mohua e drejta themelore për testim në gjuhën amtare dhe e bojkotuan garën.
“Presim qe një orë e gjysmë dhe nuk bënë zgjidhje, ne morëm vendim që komplet tri shkollat shqipe në Komunën e Butelit që testin ta bojkotojmë sepse nuk ka ekzemplarë në gjuhën shqipe. I tërhoqëm nxënësit, këtu janë edhe prindërit që na përkrahin që t’ia bëjmë me dije organizatorit se këtu ka një përqindje të madhe të shqiptarëve në tri shkolla të Butelit dhe të bëhet organizimi si duhet”, tha Salaudin Hamidi, arsimtar.
Arsimtarët e matematikës thonë se për këtë test nxënësit kanë paguar nga 300-500 denarë dhe tani në mënyrë të padrejtë janë diskriminuar për të shprehur dituritë e tyre në konkurrencë me moshatarët.
“Testi është i organizuar nga Lidhja e matematicientëve të Maqedonisë në nivel republikan, edhe gjatë ushtrimit të detyrave që i kanë postuar në ueb faqen e tyre, jemi detyruar që ti marrim të përkthejmë detyrat nga maqedonisht në shqip pasi që nxënësit kanë hasur në shumë probleme terminologjike”, shtoi Nurtene Rama, arsmitare.
Prindërit janë edhe më të revoltuar nga që akoma ekzistojnë individ të tillë që nxisin urrejtje ndër etnike ndërmjet nxënësve të shkollave fillore në Shkup, në një nga komunat më të ndjeshme, siç është Buteli.
“Jam shumë e dëshpëruar sepse flitet gjithmonë se ka dygjuhësi por unë nuk po e shoh asnjëherë, as në dokumente të shkollës, të cilët shpesh i kam refuzuar sepse nuk e kuptoj gjuhën maqedonase dhe më takon ti kemi në gjuhën amtare. Por, pse vjen puna edhe në gara të bëhet ky diskriminim është turp”, u shpreh Haxhere Hasa, prind. /Alsat.mk
Përse nuk respektohet gjuha shqipe edhe pse e njëjta është e rregulluar me ligj?
Çështja e gjuhës shqipe është delikate në Maqedoninë e Veriut, sepse edhe është zyrtare edhe nuk është. Është zyrtare por vetëm në letër sepse për të njëjtën ekziston një ligj, i cili njihet si “ligji për përdorimin e gjuhëve”, në kuadër të cilit është rregulluar edhe statusi i gjuhës shqipe, duke u bë si gjuha e dytë zyrtare pas asaj maqedonase. Por, kjo gjë edhe pesë vite më vonë, prej kur është votuar ky ligj pra në vitin 2018, ende nuk po gjen zbatim.
Madje, mos zbatimi i gjuhës shqipe vërehet nga shkollat e komunat deri te institucionet e larta. E kjo gjë nuk ndodhë rastësisht, por është mangësia e lidershipit shqiptarë që janë përfaqësues në Kuvend e Qeveri, që nuk po e ndjejnë përgjegjësi punën për të cilën janë të obliguar ta bëjnë.
Themelimi i institucioneve për zbatimin e gjuhës nuk nënkupton se gjuha zbatohet vetvetiu, por edhe emërimi i personave në krye të këtyre institucioneve është dashtë të bëhet me kujdes dhe duke marrë parasysh punën që duhet ta bëjnë. Pra, jo vetëm institucionet janë të mjaftueshme po edhe bartësitë e tyre, siç është rasti me Inspektoratin për Zbatimin e Gjuhës, që udhëhiqet nga një shqiptar, Fatmir Iseni, i cili këtë institucion e ka paralizuar duke mos përdorur kompetencat që i ka. Ky institucion është themeluar për të sanksionuar gjithë ato institucione që nuk e zbatojnë gjuhën shqipe, nga ana tjetër ka me qindra raste ku gjuha shqipe nuk është respektuar dhe në të njëjtën kohë kanë munguar sanksionet apo gjobat që është dashtë të jepen nga Inspektorati.
Me këtë lidership që përgjegjësi të vetme e kanë marrjen e pozitave dhe bashkë me to pagat, si dhe me bartësit e institucioneve që “paralizojnë” kompetencat ndëshkuese nuk ndryshon dot gjendja e mjerueshme e gjuhës shqipe. Madje, disa “patriot të falsifikuar” piskamat për ndryshimet Kushtetuese që do t’i kushtëzojnë me ndryshimin e statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë nga 20 përqindëshi në gjuhë shqipe, i kanë ulur dhe zbutur tonet kushtëzuese në emër të “integrimeve evropiane”. /Zhurnal.mk

