Liderët politik nga Maqedonia ngushëllojnë popullin turk për viktimat nga tërmeti
Shkup, 6 shkurt – Mëngjesin e sotëm Turqinë e ka goditur një tërmet i fuqishëm prej mbi 7,6 ballëve ndërsa la të vdekur rreth mbi 500 persona së bashku me banorët e Sirisë, informon Zhurnal.
Për këtë tragjedi, ngushëllime kanë dërguar edhe politikbërësit shqiptarë nga Maqedonia.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari përmes një komunikate për media ka shprehur ngushëllime për popullin turk ndërsa shpreson se do të ringrihen pas kësaj tragjedie. Ai i bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë t’i ofrojnë ndihmë Turqisë për pasojat.
“Mëngjesin e sotëm u tronditëm thellë nga pamjet zemërthyese të tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë Juglindore duke lënë qindra të vdekur e mijëra të lënduar, dëme materiale të konsiderueshme dhe shumë familje të dëmtuara.
Shpreh ngushëllimet e mia të thella popullit mik turk 🇹🇷. Besoj në fuqinë e tyre për t’u ringritur pas kësaj tragjedie të përmasave të jashtëzakonshme. U bëj thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut t’i ofrojnë ndihmë Turqisë për t’u përballur me pasojat e kësaj tragjedie.
Mendimet dhe lutjet tona janë me popullin turk dhe familjet e viktimave”, ka shkruar Taravari.
Ngushëllime ka dërguar gjithashtu edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Kasami është shprehur se solidarizohemi me popullin turk pas tërmetit shkatërrues në atë vend. Ai u ka dëshiruar shërim të shpejtë personave të lënduar.
“Në këto momente të vështira solidarizohemi me popullin Turk pas tërmetit shkatërrues që goditi disa qytete në juglindje të Turqisë. Ngushëllime për jetët e humbura, ndërsa të lënduarëve ju dëshirojmë shërim të shpejtë!”, ka shkruar Kasami, informon Zhurnal.
Ngushëllime ka dërguar gjithashtu edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Ahmeti në kumtesën e tij ka ndarë dhimbjen me popullin turk. Ai ngushëllon familjet që humbën të afërmit e tyre dhe të lënduarve u uron shërim të shpejtë.
“Ndaj dhimbjen e thellë me popullin turk dhe autoritetet atje pas tërmetit që ndodhi mëngjesin e sotëm në qytetin Kahramanmaras.
Ngushëllime të gjithë familjeve që humbën të afërmit në këtë katastrofë natyrore dhe lutemi për shërim të shpejtë për gjithë të lënduarit.
Solidarizohemi sot me ekipet e shpëtimit dhe gjithë Turqinë“, ka shkruar Ahmeti.
Ngushëllime të sinqerta ka dërguar edhe lideri i Alternativës, Afrim Gashi.
Ai shpreson se nga kjo ngjarje e rëndë të ketë sa më pak viktima.
“Në këto momente të vështira për popullin turk, mendimet dhe lutjet tona janë për ta, duke shpresuar që nga kjo ngjarje e rëndë të ketë sa më pak viktima dhe të lënduar. U shprehim ngushëllime familjarëve, të cilët kanë humbur më të afërmit e tyre, Presidentit Erdogan dhe gjithë popullit turk”, ka shkruar Gashi.
Përndryshe ngushëllime për popullin turk kanë dërguar edhe dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE.
“Lajm i trishtë për tërmetin në Turqi e cila na pikëlloi të gjithëve. Në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të RMV-së shprehë ngushëllime të sinqerta ndaj Recep Tayyip Erdogan për jetët e humbura, dhe uroj për shërim të shpejtë të të lënduarve”, ka shkruar Dimitar Kovaçevski, lider i LSDM-së.
“Në emrin tim personal dhe në emër të VMRO-DPMNE-së shprehë ngushëllimet e mia të thella deri te populli mik turk dhe Republikës së Turqisë për viktimat nga tërmeti i trishtë i cili e preku rajonin e Gaziantepit.
Mendjet tona dhe lutjet tona janë me familjet e të dëmtuarve, me shpresë se autoritetet do të arrijnë të shpëtojnë sa të munden njerëz në aksionet për shpëtim.
Vështirë është të zgjedhen fjalë për ngushëllim në çaste të tilla tragjike, por jam i bindur se solidariteti dhe humanizmi i njerëzve do të ndihmojnë që sa më shpejtë të bashkohen të gjitha kapacitetet drejt rinovimin dhe sanimit të vendeve të prekura nga tërmeti i madh”, ka shkruar Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE./Zhurnal.mk

