ASH: Po bisedojmë dikasteret e shëndetësisë dhe drejtësisë
Shkup, 1 shkurt – Ministria e Drejtësisë mbetet një nga dikasteret që synojmë t’i udhëheqim, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, informojnë për MIA-n burime nga Aleanca për Shqiptarët rreth bisedimeve për çështjet kadrovike gjatë hyrjes eventuale të partisë në Qeveri.
Nga partia thonë se negociojnë për këto dy dikastere, me vlerësim se kanë kapacitete kadrovike për udhëheqje me to.
Burime nga Aleanca për Shqiptarët potencojnë se për ministrinë e tretë, mbetet të bisedojnë në ditët në vijim bashkë me kuadrot nga eshalloni i dytë dhe i tretë.
Nga partia theksojnë se prioritet do ta kenë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe për këtë, siç thonë, insistojnë që kuadrot e tyre të jenë prezent në të gjitha drejtoritë, institucionet dhe inspektoratet të cilët kanë lidhje me këto sfera, si DAP, Dogana, policia… Sipas tyre, nuk është kusht që të kenë njeri të parë ose të dytë në këto institucione, por që kuadrot e tyre të përfaqësohen në të gjitha këto institucione në nivele të ndryshme.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dje pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski deklaroi se hyrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri ende nuk është definitive, por se gjasat për këtë janë të mëdha. Ai potencoi se rreth 90 për qind e programit janë sinkronizuar, përderisa për çështjet kadrovike aspak nuk ishte biseduar.
Për çështjet kadrovike, siç theksoi, do të bisedojnë gjatë ditëve të ardhshme, duke shtuar se një nga dikasteret për të cilat “kanë kuadrot më të mirë” është Ministria e Shëndetësisë.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dje theksoi se në përqindjen më të madhe janë harmonizuar me Aleancën për Shqiptarët, përderisa në pjesën e të gjitha aspekteve të tjera për bashkëpunim të mundshëm, bisedimet do të vazhdojnë.
Këshilli Ekzekutiv i LSDM-së mbrëmë në mbledhje zgjodhi grup pune për bisedimet e mëtutjeshme me Aleancën për Shqiptarët, në të cilin përveç liderit të partisë dhe kryeministrit Kovaçevski, marrin pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i partisë, Mile Zeçeviq, anëtari i Këshillit Qendror, Lupço Nikollovski dhe koordinatori i grupit parlamentar në Kuvend, Jovan Mitrevski.
Njëkohësisht, për sonte në Gostivar është paralajmëruar mbledhje e kryesisë më të ngushtë të Alternativës në pushtet, në të cilën siç bënë të ditur burime të partisë për MIA-n, do të vendoset se çfarë hapa do të ndërmarrin në lidhje me hyrjen eventuale të Aleancës për Shqiptarët në Qeveri.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2020 Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ishin në koalicion, por vitin e kaluar Alternativa vendosi të hyjë në koalicion qeveritar pasi Besa u largua nga Qeveria, përderisa Aleanca mbeti në opozitë.

