FMN parashikon që rritja ekonomike e Kinës të arrijë në 5.2 për qind në vitin 2023

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon se ekonomia e Kinës do të rritet me 5.2 për qind në vitin 2023, 0.8 pikë përqindjeje më e lartë se parashikimi i tetorit 2022, bën të ditur “Xinhua”.

“Rritja në Kinë parashikohet të jetë 5.2 për qind në vitin 2023, duke reflektuar përmirësimin e shpejtë të lëvizshmërisë”,- bëhet e ditur në përditësimin e raportit të FMN-së të Perspektivës Ekonomike Botërore.

Rritja globale parashikohet të bjerë nga rreth 3.4 për qind në vitin 2022 në 2.9 për qind në vitin 2023, pastaj të rritet në 3.1 për qind në vitin 2024, bëri të ditur FMN-ja, duke vënë në dukje se norma mesatare historike e rritjes midis viteve 2000 dhe 2019 është 3.8 për qind.

Sipas FMN-së, rritja e normave të Bankës Qendrore për të luftuar inflacionin dhe konfliktin Rusi-Ukrainë vazhdojnë të rëndojnë mbi aktivitetin ekonomik.

Inflacioni global pritet të bjerë nga 8.8 për qind në vitin 2022 në 6.6 për qind në vitin 2023 dhe 4.3 për qind në vitin 2024, ende mbi nivelet para pandemisë (2017-2019) prej rreth 3.5 për qind, sipas përditësimit.

FMN-ja bëri të ditur se përhapja e shpejtë e Covid-19 në Kinë frenoi rritjen në vitin 2022, por heqja e kufizimeve ka hapur rrugën për një rimëkëmbje më të shpejtë se sa pritej.