Uashingtoni: Rusia nuk e respekton marrëveshjen e fundit bërthamore

SHBA-ja njoftoi sot se Rusia nuk e respekton marrëveshjen “START i ri” (Strategic Arms Reduction Treaty) nga viti 2010, marrëveshja e fundit për çarmatim bërthamor.

Departamenti amerikan i Shtetit e kritikoi Moskën për ndërprerje të inspektimeve dhe anulimin e bisedimeve sipas marrëveshjes, por nuk e akuzoi për zgjerimin e arsenalit të saj bërthamor mbi kufijtë e dakorduar. 

Republikanët, të cilët pas zgjedhjeve në nëntor fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, kërkuan nga shefi i diplomacisë amerikane, Entoni Blinken që deri sot tu tregojë nëse Rusia e shkel marrëveshjen. 

Moska vitin e kaluar njoftoi se e shtyn mbledhjen e nëntorit me SHBA-në për inspektimet në bazë të marrëveshjes, duke e akuzuar Uashingtonin për qëndrim “armiqësor” dhe “toksik”. 

Marrëdhëniet mes dy forcave bërthamore janë në nivelin më të ulët që nga fillimi i luftës në Ukrainë.