Stoltenberg për vizitë në Korenë e Jugut për përforcimin e lidhjeve me Azinë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot arriti në Korenë e Jugut, si pjesë të turnesë, qëllimi i së cilës është përforcimi i lidhjeve me aleatët, në kushte të luftës në Ukrainë dhe rivalitetit në rritje me Kinën, ndërsa të hënën do ta vizitojë Japoninë.

Stoltenberg në Seul u takua me ministrin e Punëve të Jashtme, Park Xhin, ndërsa më vonë do të takohet edhe me presidentin Jun Suk-Jol dhe ministrin e Mbrojtjes Li Xhong-Sup.

“NATO është e brengosur për testet e pakuptimta raketore dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut, ndërsa lufta në Ukrainë ka pasoja të padëshiruara për Azinë”, deklaroi Stoltenberg në fillim të takimit me Park, duke u përqëndruar në dyshimet se Korea e Veriut i jep përkrahje ushtarake Rusisë.

Dy bashkëbiseduesit i theksuan vlerat e përbashkëta mes vendeve anëtare të NATO-s dhe Koresë së Jugut.

Stoltenberg të hënën do të udhëtojë për Tokio, ku do të takohet me kryeministrin japonez, Fumio Kishida dhe funksionarë tjerë.