Në Bejrut, përplasje mes protestuesve dhe policisë për pengimin e hetimeve për shpërthimin në port
Dhjetëra demonstrantë u përleshën me policinë sot në Bejrut pasi u përpoqën të hynin në Pallatin e Drejtësisë, duke protestuar kundër pengimit të hetimeve për shpërthimin shkatërrues në portin e Bejrutit në vitin 2020.
Disa protestues u plagosën nga përplasja me policinë.
Kryeprokurori i Libanit Gasan Oveidat urdhëroi dje lirimin e të gjithë të dyshuarve të arrestuar në hetimin për shpërthimin e vitit 2020 dhe ngriti akuza kundër gjyqtarit hetues Tarek Bitar, i cili rifilloi hetimin më 23 janar pas një ndalese 13-mujore për shkak të ankesave nga politikanët e akuzuar.
Ai gjithashtu akuzoi më shumë se dhjetëra zyrtarë politikë, gjyqësorë dhe të sigurisë, duke përfshirë kryeprokurorin Ovejdat.
Kjo çoi në një konflikt mes gjyqtarit hetues dhe kryeprokurorit dhe akuza të ndërsjella për mosrespektim të ligjit.
Më 4 gusht të vitit 2020, rreth 3,000 ton nitrat amoniumi shumë shpërthyes, i përdorur si pleh artificial, shpërtheu në portin e Bejrutit, me ç’rast u vranë 218 njerëz dhe u plagosën më shumë se 6,000 dhe duke shkatërruar pjesë të mëdha të qytetit. Rreth 250,000 njerëz mbetën pa shtëpi. Porti, doganat dhe dokumentet ligjore më vonë zbuluan se nitrati i amonit ishte ruajtur në mënyrë të parregullt në port për vite me rradhë, ndërsa për të e kanë ditur politikanë të lartë dhe zyrtarë të sigurisë.
Hetimi është bllokuar nga qarqet politike libaneze që nga dhjetori i vitit 2021.
Gjyqtari Bitar tha dje se do të vazhdojë hetimet edhe me çmimin e jetës dhe se do të ndalet vetëm nëse autoritetet e largojnë zyrtarisht.

