Ambasadori palestinez që e quante Kosovën pjesë të Serbisë, largohet nga Beogradi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur të enjten në një vizitë lamtumirëse ambasadorin palestinez në Serbi, Muhamed Nabhan të cilin e ka falënderuar “për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në marrëdhëniet e ngushta ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve gjatë mandatit të tij afatgjatë”.
Nabhan ka qenë i lidhur me Serbinë për disa dekada. Ka studiuar në Beograd, fëmijët e tij kanë lindur atje dhe që nga viti 2006, ai ka shërbyer si ambasador i Palestinës.
Nabhan në deklaratat e tij në Beograd vazhdimisht e ka përsëritur se Palestina nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Në një deklaratë të viteve më parë, Nabhan, vlerësonte se paralelja ndërmjet Gazës dhe Kosovës do të ishte e pa arsyeshme pasi që, siç ka thënë ai “Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë, ndërsa Gaza dhe Bregu Perëndimor kurrë nuk kanë qenë pjesë e Izrealit”.

