Shenjat e para të zgjerimit të koalicionit janë dhënë, e paqartë se kur ASH mund t’i bashkangjitet Qeverisë
Shkup, 18 Janar – Nëse do të zgjerohet koalicioni qeveritar edhe me një parti, tani për tani nuk ka përgjigje të qartë, por ajo që dihet është se dy partnerët më të mëdhenj të koalicionit në Qeveri, LSDM dhe BDI, dëshirojnë t’u bashkangjitet Aleanca për shqiptarët.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dje deklaroi se shumica parlamentare është stabile, por se ka një qasje më të përgjithshme dhe më me perspektivë.
“Do të thotë të zgjerohet ajo shumicë dhe të krijohet një aleancë për Evropë”, tha Ahmeti në shënimin e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ku mori pjesë e tërë kryesia e partisë, por pa anëtarët e të ashtuquajturit “grupit të zjarrit” në BDI, kryesuar nga Izet Mexhiti. Bisedimet me Aleancën për shqiptarët, sipas Ahmetit, nuk kanë arritur deri tek ndarja e resorëve.
“Nuk kemi ardhur deri në këtë moment. Të shohim se si do të zhvillohen bisedimet dhe si do të jetë epilogu. Më pas do të flasim edhe për këtë çështje”, tha Ahmeti. I pyetur për stabilitetin e shumicës parlamentare në kontekst të të a.q. “grupit të zjarrit” dhe deputetëve nga BDI, Ahmeti tha se bisedimet me ASH-në “nuk kanë kurfarë lidhje me grupin e zjarrit”.
Debati për hyrje të Aleancës për shqiptarët në Qeveri u bë më intensiv pasi që të hënën në mbrëmje kryetari i kësaj partie, Arben Taravari në intervistë deklaroi se ekziston mundësia që ASH të bëhet pjesë e Qeverisë, ndërsa nëse kjo nuk ndodhë, duhet të shkohet në zgjedhje.
Taravari la hapësirë për dy opsione – njëri siç tha, sipas sugjerimit të faktorit ndërkombëtar, është se nuk është koha për zgjedhje dhe se për progresin e shtetit, me rëndësi janë ndryshimet kushtetuese, dhe nëse atë e kërkon anëtarësia e ASH-së, atëherë me siguri do të bëhen pjesë e Qeverisë. Opsioni tjetër, sipas tij, është të shkohet menjëherë në zgjedhje.
Për raportin e ASH-së me VMRO-DPMNE-në opozitare, ai tha se për momentin dy partitë janë distancuar, edhe pse ka jë nivel komunikimi mes deputetëve. Taravari tha se ka pasur tentime para disa viteve për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në, madje edhe vetë lideri i partisë, Hristian Mickoski ka shprehur keqardhje për ngjarjet e 27 prillit, por vitin e fundit VMRO-DPMNE-ja “e ka kthyer retorikën nacionale dhe është bërë e ngjashme me Të Majtën”.
Pas kësaj interviste, VMRO-DPMNE përmes zëdhënësit të saj, Naum Stoilkkovski kërkoi nga Taravari të thotë “cili është ai faktor ndërkombëtar që kërkon ASH-ja të bëhet pjesë e Qeverisë”.
“Nëse Taravari heshtë dhe nuk tregon, do të thotë se Taravari nuk është i sinqertë dhe ka arsye tjetër përse dëshiron të hyjë në Qeveri”, tha Stoilllkovski. Ndaj thënieve të VMRO-DPMNE-së nga ASH-ja u përgjigjën se partnerët strategjik të vendit, ata të cilët vazhdimisht e mbështesin rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe BE-së, presin prej nesh ta mënjanojmë barrierën e fundit për hapje të negociatave për anëtarësim në BE: ndryshimet kushtetuese. Çdo skenar tjetër, sipas ASH-së, çon drejt izolimit, pasigurisë dhe destabilitetit në kohë kur Evropa është më e shqetësuar se kurdoherë pas Luftës së Dytë Botërore.

