LOEM ndau mirënjohje për tri ambasada të huaja për mbështetje të ndërkombëtarizimit të bizneseve

Shkup, 13 janar – Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM) informon se u ka ndarë mirënjohje për bashkëpunim të suksesshëm ambasadave të Japonisë, të Republikës Popullore të Kinës dhe të Bosnjës e Hercegovinës me të cilat gjatë periudhës së kaluar me sukses ka realizuar aktivitete dhe projekte të përbashkëta.

Mirënjohjet i kanë pranuar ambasadori japonez Kazuja Otsuka, ambasadori i Bosnjës e Hercegovinës në RMV Dragan Jakimoviq dhe He Binghua këshilltar ekonomik në Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në RMV.

Nga LOEM theksojnë se me ambasadën e Bosnjës e Hercegovinës këtë vit ishte organizuar prezantim jashtëzakonisht i suksesshëm i kompanive tona në Panairin Ndërkombëtar “INTERAGRO”, ku për herë parë vendi ynë ishte edhe partner në organizimin.

Gjithashtu me qëllim të promovimit të shkëmbimit tregtar dypalësh përmes rritjes së eksportit të verës, mishit dhe produkteve të tjera bujqësore dhe industriale nga Maqedonia e Veriut, ishte organizuar edhe ngjarje me Asociacionin Popullor për Miqësi me Vende të Huaja në qytetin kinez Tijanxhin.

“Lidhja shpreh falënderim dhe mirënjohje publike për atë që është realizuar me sukses gjatë periudhës së kaluar me qëllim që të nxitet bashkëpunim edhe më i mirë në periudhën që vjen. Me nder dhe kënaqësi të veçantë u ndajmë këto mirënjohje tre ambasadorëve të jashtëzakonshëm dhe tri ambasadave shumë të rëndësishme. Besojmë se në periudhën që vjen do të realizojmë edhe shumë aktivitete të rëndësishme të cilat do të kenë ndikim edhe më të gjerë pozitiv për rritjen dhe zhvillimin ekonomik”, potencoi nënkryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, prof. dr. Orce Simov.