Talebanët kritikuan princin Hari: Forcat okupatore në Afganistan vrisnin njerëz të pafajshëm pa kurrfarë përgjegjësi

Qeveria talebane dërgoi kritikë për princin britanik Hari, i cili në memoaret e tij thotë se ka vrarë 25 njerëz gjatë shërbimit të tij ushtarak në Afganistan, të cilët i përshkroi si “figura shahu të larguara nga tabela”.

“Okupimi perëndimor në Afganistan është me të vërtetë moment i neveritshëm në historinë njerëzore, ndërsa komentuesit e princit Hari janë mikrokozmos i traumave të cilat afganët i përjetuan derisa forcat okupatore vrisin njerëz të pafajshëm pa kurrfarë përgjegjësie”, tha zëdhënësi i Ministrisë afgane të Punëve të Jashtme, Abdul Kahas Ballki.

Memoaret e Harit kanë dalë në shitje në Spanjë disa ditë para publikimit global, që është caktuar më 10 janar.

Në një pjesë të librit, princi 38-vjeçar i përshkruan dy qëndrimet e tij në Afganistan. Ai për herë të parë ishte në Afganistan si kontrollor i fluturimeve në vitin 2007/08 dhe përsëri në vitin 2012, kur ishte bashkë pilot në helikopterët Apaçi. Ai shkruan për numrin e njerëzve që i ka vrarë në Afganistan.

“Ajo nuk është statistikë që më përmbush me krenari, por nuk mund të them se turpërohem. Kur u gjenda në vatrën e betejës, nuk mendoja për njerëzit, i paramendoja si figura shahu të larguara nga tabela, djemtë e këqij janë eliminuar para se t’u jepet mundësia që t’i vrasin djemtë e mirë”, shkruan princi Hari.

Ai në memoaret shkruan për keqkuptimet me vëllain e tij, princin e kurorës Uiliam, si dhe për përdorimin e drogës dhe mënyrën se si e ka humbur virgjërinë.