Analizë/ Viti 2023 vit i zgjedhjeve të parakohshme apo i ndryshimeve kushtetuese?
Shkup, 3 janar – Një nga sfidat kryesore që na pret në procesin e eurointegrimit që për ne, krahas skriningut, reformave, përballjes me korrupsionin, miratimin e ligjeve dhe krizën energjetike, do të thotë edhe ndryshim të Kushtetutës dhe Preambulës së Kushtetutës. Nuk dihet kur Qeveria do të marrë vendim për fillimin e procedurës për ndryshimin e Kushtetutës, por që të arrihet deri te përfundimi i skriningut në nëntor është e nevojshme që ai të fillojë në fillim të këtij viti. A do të ketë mbështetje për ndryshimet kushtetuese, të cilat rezultuan nga propozimi francez i shkaktuar nga bisedimet me Bullgarinë, varet më së shumti nga sigurimi i shumicës prej dy të tretave (80 vota) në Parlament. Tani për tani kjo është e pasigurt, ndonëse nga partitë në pushtet pohojnë se janë duke punuar në arritjen e saj.
Në konkluzionet e Këshillit të BE-së, shkruan se në momentin kur të ndryshohet Kushtetuta dhe të përfshihen edhe tri bashkësi në të, pa vendime të reja dhe pa prolongim, do të thirret Konferenca e dytë ndërqeveritare në të cilën do të fillojnë bisedimet për kapitujt.
Javën e fundit të vitit të kaluar partitë politike e shfrytëzuan për të përsëritur qëndrimet e tyre tashmë të përcaktuara në lidhje me amendamentet kushtetuese, disa i kushtëzuan votat e tyre me zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE kërkoi që fillimisht të mbahen zgjedhjet. Në debatin e vitit të kaluar për ndryshimet kushtetuese u dhanë një varg propozimesh, ndër të cilat më real që mund të ndodhë është fshirja e formulimit “gjuha që e flasin më shumë se 20 për qind…”.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thekson se kushtëzimet për një çështje të tillë janë vërtet të papranueshme dhe në vend të kësaj bëri thirrje për konsensus të gjerë shoqëror dhe politik për rrugën evropiane të shtetit.
“Në momentin kur do të kemi konsensus të gjerë shoqëror dhe politik për të njëjtën gjë, atëherë do të mund të gjendet në Kuvend”, tha para do kohë kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse menjëherë pas festave të Vitit të Ri do të fillojë procedura për ndryshime kushtetuese.
“Ndryshimet kushtetuese me të cilat mundësohet vazhdimi i rrugës evropiane të shtetit dhe që është një nga vendimet në rrugën drejt anëtarësimit të plotfuqishëm duhet të jenë çështje mbikombëtare dhe mbipolitike që mundëson të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët të brezave të sotëm dhe të ardhshëm. Kjo çështje sigurisht që do të gjendet në Parlament. Normalisht se do t’i paraprijnë konsultime politike, do të ketë paraprakisht edhe diskutim profesional, duke marrë parasysh se bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese dhe në momentin kur do të kemi konsensus të gjerë shoqëror dhe politik për të njëjtën, atëherë mund të gjendet në Parlament”, tha Kovaçevski. Kryeministri tha se asnjëherë nuk është i lidhur me data, por me qëllimin, e ky është që Maqedonia deri në vitin 2030 të bëhet anëtare e BE-së.
Në intervistën për televizionin kombëtar, nga ana tjetër, ai ka qëndruar konsekuent me qëndrimin se zgjedhje do të ketë në vitin 2024, respektivisht se viti 2023 nuk do të jetë vit zgjedhor, meqë ende është në rrjedhë skriningu.
“Skriningut do të përfundojë në nëntor të vitit 2023 dhe ne me siguri nuk do të bëjmë që skriningu të ndërpritet tani, pas 17 vitesh pritje. Së dyti, kriza energjetike nuk do të ndalet dhe kriza ekonomike, institucionet që do të përballen me të duhet të jenë funksionale. Së treti, kemi një numër të madh të vendimeve që duhet të merren në Kuvend e që kërkojnë konsensus të gjerë shoqëror dhe politik dhe të cilin konsensus nuk do ta sigurojnë zgjedhjet, shoh disa parti politike që thonë se do të votojmë nëse ka zgjedhje”, tha Kovaçevski në intervistën për televizionin kombëtar.
Sipas tij, të gjitha akuzat që u bënë nga VMRO-DPMNE-ja opozitare gjatë pranimit dhe miratimit të konkluzioneve në Kuvend lidhur me propozimin evropian të propozuar nga Presidenca franceze kanë rënë në ujë.
Kovaçevski kërkoi nga të gjithë 120 deputetët në Kuvend “të tregojnë përgjegjësi dhe të mbështesin aderimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ndërsa t’i lënë anash interesat partiake, meqë qytetarët duan të jenë pjesë e BE-së, ndërsa e ardhmja e qytetarëve është detyrim i barabartë i të gjitha partive politike në Kuvend”.
Kreu i shtetit Stevo Pendarovski në fjalimin e fundvitit para deputetëve potencoi se është e nevojshme procedurë e qartë dhe e pastër për ndryshimin e Kushtetutës.
“Na nevojitet procedurë e qartë dhe e pastër juridike dhe politike për ndryshimin e Kushtetutës, siç i ka hije një demokracie evropiane. Askush nuk duhet t’i ushtrojë presion askujt, as ta kushtëzojë për të votuar në kundërshtim me vullnetin e vet”, tha Pendarovski.
Duke folur për kompleksin e çështjeve të lidhura me integrimet tona evropiane që përfundimisht i hapëm pas shtatëmbëdhjetë viteve të gjata të pritjes, Pendarovski tha se deputetët duhet të kenë para syve dy gjëra në raport me çështjen për ndryshimin e Kushtetutës.
“Së pari, se vetë përmbajtja e propozimit konkret, përfshirja e bullgarëve dhe e pjesëve të kombeve të tjera në Kushtetutë, në asnjë mënyrë nuk e shkatërron identitetin maqedonas, dhe së dyti, ata që janë kundër sot, nëse vërtet besojnë se BE-ja është qëllimi ynë strategjik, konstanta jonë strategjike nga viti 1991 e deri më sot dhe nëse janë kundër sot, si do ta votojnë këtë ndryshim kushtetues kur të jenë në pushtet”, deklaroi Pendarovski.
Obligimi ynë për ndryshimin e Kushtetutës, sipas Pendarovskit, nuk është e lidhur me hapjen e klubeve të bullgarëve në vend, mirëpo, mbetet përshtypja se “bëhet fjalë për aktivitet të kurdisur dhe organizuar në aspektin kohore” që nuk kontribuon në ndërtimin e besimit mes Shkupit dhe Sofjes.
Për më të rinjtë që nuk i mbajnë vitet e 1990-ta, përballë perceptimit të përgjithshëm, theksoi Pendarovski, maqedonasit dhe qytetarët maqedonas kanë ditur të bashkohen dhe bashkërisht të punojnë në interes të shtetit, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet: për referendumin për pavarësinë në vitin 1991, është formuar edhe shtab i përbashkët funksional i pushtetit dhe opozitës, vendimi për aplikim për anëtarësim në NATO nga dhjetori i vitit 1993 është miratuar me mbështetje të pushtetit dhe opozitës, amendamentet që rezultuan nga Marrëveshja kornizë janë miratuar me shumicë prej dy të tretave, ndërsa Rezoluta për pozicionet shtetërore në raport me Bullgarinë vitin e kaluar është mbështetur nga 95 deputetë.
Çështja e ndryshimeve kushtetuese në mediat dhe në opinion është lartë në agjendën edhe pse ende nuk është e qartë se si do të sigurohen 80 deputetë në situatë kur VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk do të mbështesë ndryshime kushtetuese.
Zëvendëskryeministri për eurointegrime Bojan Mariçiq në intervistën para festave të Vitit të Ri në pyetjen se si planifikon pushteti t’i bëjë ndryshimet kushtetuese kur opozita ende është e ngurtë në qëndrimin se nuk do t’i votojë dhe kërkon zgjedhje të parakohshme, shprehet se Qeveria edhe si shumicë në Kuvend punojnë në krijimin e atmosferës së volitshme, në mënyrë që të vjen deri te ato dy të tretat e votave që do të mbështesin ndryshime kushtetuese, të cilat në aspektin e përmbajtjes nuk janë kontestuese për askënd.
“Këtë e thonë publikisht, madje edhe ato parti që tani janë kundër propozimit francez, se nuk kanë asgjë kundër përfshirjes së dy, tre apo katër bashkësive të tjera në Kushtetutë. Në vend të zgjedhjeve të parakohshme, mendoj se është shumë më e rëndësishme dhe më e zgjuar që opozita të tejkalojë interesat partiake, të bëjë përpjekje dhe të marrë pjesë edhe në ndryshimet kushtetuese edhe në procesin e bisedimeve, në mënyrë që në vepër të tregojë se është për përparimin e shteti dhe për perspektivën e tij evropiane”, tha zëvendëskryeministri.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe partner i koalicionit në Qeveri shprehet: „Ndryshimi i Kushtetutës na e çel rrugën për hyrje në Bashkimin Evropian. Prandaj, ky është momenti i legjitimimit ndërkombëtar të kombit të bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Në të kundërtën, të mos lihet hapësirë për dyshime dhe interpretime pse nuk është pranuar minoriteti bullgar në ndryshimet kushtetuese”.
“Me kontestimin dhe hapjen e këtyre dilemave, sigurisht që kjo rrugë bëhet më e ndërlikuar dhe e vështirë. Prandaj, sa më shpejt që të zgjidhet edhe kjo çështje, aq më shpejt dhe më mirë është për shtetin dhe për perspektivën dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, theksoi Ahmeti. Sipas tij, i gjithë politizimi i kësaj çështjeje në Bullgari duket i paarsyeshëm dhe i tepruar, ndërsa BDI-ja, por edhe të gjitha partitë politike shqiptare, asnjëherë nuk kanë punuar në dëm të bashkëqytetarëve të tyre maqedonas. Ky, sipas tij, është moment historik.
Izet Mexhiti, i cili kryeson të ashtuquajturin grup të zjarrit të BDI-së dhe nga i cili janë disa deputetë nga kjo parti në pushtet, në konferencën për media në pyetjen e gazetarëve tha se kur bëhet fjalë për prioritetet strategjike të vendit ata gjithmonë do të japin mbështetje. Mexhiti nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse ata i kushtëzojnë votat e tyre, duke kërkuar ndërrimin e njerëzve udhëheqës në partinë.
Partia më e madhe opozitare në vend VMRO-DPMNE propozon zgjedhje të parakohshme parlamentare në periudhën mes 14 dhe 21 majit të vitit të ardhshëm. Fushata zgjedhore do të fillonte më 25 prill, ndërsa qëllimi i atyre zgjedhjeve, siç njoftuan nga partia, është risetim i sistemit dhe vendosje të stabilitetit më të madh. Duke marrë parasysh faktin se pushteti në këtë moment është me qëndrim krejtësisht të kundërt se nuk nevojiten zgjedhje të parakohshme, dhe se duhet të shkohet me ato të rregulltat në vitin 2024 nga VMRO-DPMNE-ja shprehen se do t’i shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat në mënyrë që ta arrijnë qëllimin e tyre dhe se do të jenë kreativ në gjetjen e mënyrës për mbajtjen e atyre zgjedhjeve.
Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së për ndryshime kushtetuese, theksoi kreu Kristijan Mickoski, mbetet i njëjtë. Partia opozitare nuk i mbështet ndryshimet kushtetuese. Në këtë moment, e në lidhje me atë nëse do të mbështesnin zgjedhje të tilla nëse pranohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, nga partia thonë se ky është proces serioz të cilit do t’i qasen seriozisht, duke marrë parasysh të gjitha aspektet e rëndësisë së kësaj çështjeje. Ata shtojnë se si parti e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se nëse do të ketë zgjedhje, në programin e tyre parazgjedhor do ta deklarojnë në mënyrë të hollësishme se si do të vazhdojë vendi në atë rrugë, e cila do të prezantohet në mënyrë transparente para votuesve, të cilët nëse do të ketë zgjedhje, do të vendosin nëse do t’i japin mbështetje politikës që e ofron kjo parti.
Kryetari i Lëvizjes Besa dhe kryetar i Tetovës Bilall Kasami pas thirrjeve nga pushteti se është kundër eurointegrimeve, porositi se problemi qëndron pikërisht në Qeverinë aktuale dhe prandaj dëshiron të ketë zgjedhje të parakohshme. Ai i përsëriti qëndrimet se është e nevojshme të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Paraprakisht, Kasami deklaroi se deputetët e tyre do t’i japin votat për ndryshimet kushtetuese nëse në vend mbahen zgjedhje të parakohshme.
Alternativa ka dalë me propozim për ndryshime kushtetuese, me të cilat pret që të pengohet të gjithë zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe lokal të përvetësojnë përfitime të paligjshme pronësore. Kryetari i partisë, Afrim Gashi, pret që të gjitha partitë politike në vend të bashkohen për këtë propozim të tyre. Ai shprehet se amendamenti të cilin propozojnë të hyjë në Kushtetutë është përpiluar në konsultim të gjerë me ekipet juridike të partisë dhe se nga sot propozim tekstin do ta vendosin në debat të gjerë publik. Për kërkesën e një pjese të partive shqiptare që të fshihet nga Kushtetuta formulimi “gjuha që flasin më shumë se 20 për qind…”, shprehen se janë dakord, por se debati duhet bërë me kujdes meqë nuk guxon të ketë fitues dhe humbës.
Partia E Majta në fund të nëntorit në seancën e Komitetit Qendror e riafirmoi pozicionin kundër ndryshimeve të paralajmëruara kushtetuese, të cilat nga Qeveria, siç bënë të ditur, janë prezantuar rrejshëm si domosdoshmëri për ardhmërinë evropiane të shtetit dhe angazhohet për ndërprerje të menjëhershme të bisedimeve me Republikën e Bullgarisë. Bisedimet në këtë drejtim për ta janë të pranueshme vetëm me institucionet e BE-së, pa bisedimeve të veçanta me cilëndo nga vendet anëtare të saj.
“E Majta e afirmon qëndrimin për integrim në BE të Republikës së Maqedonisë, por, jo me çmimin e rrënimit të elementeve konstitutive shtetërore – cenimin e unitaritit, pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës ekskluzive Republika e Maqedonisë të marrë vendime për çështjet e brendshme të saj, si dhe pozicionit shtetëror të saj, në marrëdhëniet ndërkombëtare, njoftoi atëherë partia.
Aleanca e Shqiptarëve, pa dallim nëse do të bëhet pjesë e Qeverisë ose jo, do të mbështesë ndryshimet kushtetuese.
Pavle Trajanov nga LD deklaroi se do të mbështesë ndryshimet kushtetuese nëse Bullgaria e njeh minoritetin maqedonas.
Deputetët tjerë nga partitë më të vogla të cilët janë pjesë e pushtetit nga PLD-ja, RDM dhe PRSD-ja po ashtu do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese.
Procedura për miratimin e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të Preambulës së Kushtetutës
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në takimin me gazetarët javën e kaluar nuk tregoi se kur do të fillojë procedura për ndryshime kushtetuese, duke potencuar se ai si kryetar i komisionit amë është i gatshëm që menjëherë sapo të vjen propozimi te ai, të fillojë këtë procedurë. Për zgjedhje eventuale të parakohshme në pranverë në favor të ndryshimeve kushtetuese, Xhaferi konsideron se duhet të shikohet interesi i procesit.
“Dhe në momentin kur do të konsiderojnë se kanë kushte për të ngritur iniciativë unë jam i gatshëm si kryetar i Komisionit dhe i Kuvendit të veproj në përputhje me procedurën, pasi të merret iniciativa më tutje”, theksoi Xhaferi.
Procedura për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut fillon me dhënien e propozimit për aderim drejt ndryshimit të Kushtetutës dhe me marrjen e vendimit për aderim drejt ndryshimit të Kushtetutës. Procedura ka tri faza: përcaktim të draftit të aktit dhe vënien e tij në diskutim publik, përcaktim të propozimit të aktit dhe vendimmarrje dhe shpallje të ndryshimit kushtetues nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, propozim për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës mund të parashtrojnë: Presidenti i Republikës, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, së paku 30 deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe 150.000 qytetarë.
Pas parashtrimit të propozimit, është e nevojshme të merret Vendim për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës që e miraton Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Në mënyrë që të miratohet vendimi, ai duhet të mbështetet dhe miratohet në bazë të propozimit të arsyetuar që e parashtron propozuesi i autorizuar i ndryshimit kushtetues dhe duhet të jetë i arsyetuar në mënyrë të qartë dhe konkrete koncepti dhe qëllimet në të cilat mbështetet ndryshimi kushtetues.
Me këtë rast, qaset drejt përcaktimit të Draftit për ndryshimin e Kushtetutës, që, gjithashtu, e përcakton Kuvendi me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Në këtë procedurë përcaktohet propozimi i Kushtetutës (draft–teksti i Kushtetutës) që më pas vihen në debat publik.
Propozimin e Kushtetutës e përcakton Kuvendi në seancën nëse kanë votuar dy të tretat e shumicës së deputetëve, duke marrë parasysh rezultatet nga diskutimi publik. Komentet nga diskutimi publik i tekstit të propozimit të aktit i vendosë Komisioni për çështje kushtetuese i Kuvendit, në bashkëpunim të ngushtë me grupin profesional, që e formon Kuvendi.
Më pas, qaset drejt miratimit të Vendimit për ndryshimin e Kushtetutës nga Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Për propozimin e Kushtetutës zhvillohet debat i përgjithshëm për propozim tekstin dhe për secilin nen të tekstit veç e veç.
Deputetët kanë të drejtë të propozojnë amendamente për përmirësimin e propozim tekstit të Kushtetutës.
Për miratimin e ndryshimit kushtetues, Kuvendi miraton vendim për shpalljen e ndryshimit kushtetues me shumicë prej dy të tretave të votave.
Për ndryshimin e Preambulës së Kushtetutës, nga ana tjetër, është e nevojshme shumica e dyfishtë: shumica prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve në Kuvend dhe shumica e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve që u përkasin bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, me shumicë të dyfishtë ndryshohen edhe nenet për vetëqeverisje lokale, dispozitat të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive, veçanërisht dispozitat që kanë të bëjnë me përdorimin zyrtar të gjuhëve, vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, barazia e qytetarëve, liria e besimit, të drejtat e bashkësive, pasuria historike dhe artistike e Maqedonisë, Avokati i popullit, Komiteti për marrëdhënie mes bashkësive, Këshilli për siguri, Këshilli gjyqësore dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

