Kim urdhëron zgjerimin e arsenalit bërthamor
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un po bën thirrje për një “rritje eksponenciale” të arsenalit të armëve bërthamore të vendit të tij në përgjigje të atyre që ai pretendon se janë kërcënime nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, njoftoi të dielën media shtetërore e Phenianit.
Kjo deklaratë e Kim është në linjë me drejtimin e programit të tij bërthamor. Ai vazhdimisht është zotuar se do të rrisë kualitetin dhe kuantitetin e arsenalit bërthamor, për t’u përballur, siç ka thënë, me “armiqësitë” e Shteteve të Bashkuara.
Duke folur në natën e Vitit të Ri, Kim tha se Koreja e Jugut është bërë një “armik i padyshimtë” dhe aleati i saj kryesor, SHBA, ka rritur presionin ndaj Veriut në “maksimum”.
Si përgjigje, Kim tha se vitin e ardhshëm Pheniani duhet të prodhojë në masë armë bërthamore taktike ndërsa zhvillon një raketë të re balistike ndërkontinentale (ICBM) që do t’i jepte Veriut një “aftësi kundërsulmi të shpejtë”, sipas raportit të KCNA.

