Mariçiq: Vetoja e ardhshme në rrugën drejt BE-së mund të vijë nga VMRO-DPMNE

Shkup, 28 dhjetor – Qëllimi ynë është një proces i suksesshëm i ndryshimeve kushtetuese, zbatimi i shpejtë dhe i plotë i agjendës së reformave evropiane dhe në vitin 2030 Maqedonia e Veriut do të jetë anëtare e Unionit, thotë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në një intervistë për “Kapital”.

Mariçiq thekson se në vend të zgjedhjeve të parakohshme, gjë që nuk është aspak e mençur në një kohë krize globale energjetike dhe ekonomike dhe që kërkojnë vazhdimësi dhe menaxhim të mirë, është shumë më e rëndësishme dhe më e zgjuar që opozita të kapërcejë interesat partiake, të bëjë përpjekje dhe të marrë pjesë në ndryshimet kushtetuese dhe në procesin e negociatave.

  • Duhet të kemi një konsensus politik kur është fjala për drejtimin e shtetit dhe perspektivën evropiane. Të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë për këtë detyrë shtetërore dhe le t’i kapërcejmë dallimet partiake. Këtë herë nuk do të jetë Greqia, as Franca me një metodologji të re, as Bullgaria që do të vendosë veton. Vetoja e radhës mund të vijë nga VMRO-DPMNE, pra do të bllokohemi në rrugën evropiane. Jam i sigurt se nëse i përfundojmë amendamentet kushtetuese, do të kemi mundësi të avancojmë shumë më shpejt në procesin e integrimeve evropiane dhe do të kemi mundësi të bëjmë ndryshime në praktikë shumë më shpejt, tha Mariçiq.

Sipas zv.kryeministrit, përfshirja e bullgarëve, malazezëve dhe kroatëve në Kushtetutë nuk është e dëmshme për askënd, dhe përmbajtja e amendamentit nuk ka asgjë të diskutueshme dhe është e pakrahasueshme me ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit.

  • Prandaj jam i bindur se do të gjendet një rrugë dhe një zgjidhje, me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar me mbështetjen dhe praninë e tyre në vend, por edhe me ndihmën e qytetarëve. Kemi hapësirë, deri në nëntor 2023, kur mbaron i gjithë shqyrtimi, për të përfunduar ndryshimet kushtetuese. Si Qeveri dhe si shumicë në Kuvend, po punojmë që të krijojmë një atmosferë të favorshme, që të arrijmë ato dy të tretat e votave që do të mbështesin ndryshimet kushtetuese, përmbajtjen e të cilave nuk e konteston askush. Edhe ato parti që tani kundërshtojnë propozimin francez e thonë publikisht, se nuk kanë asnjë kundërshtim për përfshirjen e dy, tre apo katër komuniteteve të tjera në Kushtetutë. Në fund, përgjegjësia është e secilit deputet, si dhe e të gjitha partive politike në Kuvend, konsideron Mariçiq.//Zhurnal.mk