Ndryshime në komuna duhet të ndodhin, decentralizim në vepër jo vetëm në letër!
Shkup, 28 dhjetor – Komunat kërkojnë më shumë kompetenca, mbase edhe meritojnë dhe do të kishin rezultuar më efikase e produktive në përmbushjen e punëve të tyre. Por, marrja e kompetencave nuk nënkupton vetëm krekosje me dozë të lartë të pushtetit, por kërkon angazhim dhe përgjegjësi në kryerjen e funksionit në shërbim të qytetarëve. Reduktimi i numrit të komunave dhe një model i ri i organizimit territorial dhe vetëqeverisjes lokale, si dhe zvogëlimi i numrit të qarqeve planifikuese, janë paketa e projekteve që po bisedohen në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, realizimi i së cilës ishte paraparë të përfundonte në vitin 2024, shkruan Zhurnal.
Çfarë parashihet në ndryshimet në Komuna-
Risto Penov, ministër i vetëqeverisjes Lokale në emisionin “Win Win” në Telma deklaroi se po punohet për reformën e Ligjit për organizimin e territorit, por edhe se situata politike për momentin është shumë e komplikuar për të hapur një debat publik për këtë temë.
“Atmosfera politike është e vështirë që një pyetje e tillë të vihet në tryezë për debat. Parlamenti i bllokuar, tema që ndezin çështjet bullgare, dygjuhësia”, tha Penov.
Ndryshimet e ligjeve në fushën e vetëqeverisjes lokale kërkojnë dy të tretat e shumicës dhe shumicën e Badenterit. Për shkak të kësaj, me shumë gjasa ministri i ri nuk ka ndërmend ta shtyjë projektin për momentin. Jozyrtarisht, me ligjet e reja, vetëqeverisja lokale duhet të marrë kompetenca më të mëdha dhe kjo për momentin nuk i shkon për shtat qeverisë, sepse shumica e komunave menaxhohen nga VMRO-DPMNE opozitare.
Nga Ministria për vetqeverisje lokale mësohet se plani ka qenë ndryshimi strukturor i ligjeve për zhvillimin rajonal, për financimin e vetëqeverisjes lokale, për organizimin territorial dhe Ligjin për vetëqeverisje lokale. Projekti do të zhvillohej nga Ministria për vetëqeverisje Lokale në bashkëpunim me UNDP-në dhe në konsultim me ekspertë të vetëqeverisjes lokale.
Gjithashtu propozohet reduktimi i rajoneve të planifikimit nga tetë në gjashtë. Regjistrimi i fundit konstatoi se nuk ka kushte për tetë rajone planore në vend. Sipas nomenklaturës së BE-së, dy nga rajonet aktuale të planifikimit në vend nuk plotësojnë më kërkesat e nevojshme për një popullsi prej rreth 150 mijë banorësh, ndërsa një është në kufi. Kjo do të thotë se dy nga katër rajonet planifikuese – Vardari, Lindja, Verilindja dhe Juglindja – duhet të formohen në dy. Plani ishte që Enti i Statistikave të bënte një shpërndarje të rajoneve.
A kanë nevojë komunat për shumë kompetenca?
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami kërkon më shumë kompetenca për komunat, sidomos në fushë e urbanizmit. Kasami pas takimit me ministrin e pushtetit lokal tha se është i patjetërsueshëm një decentralizim i mirëfilltë, me theks të veçantë fiskal. Ndërkohë Penov tha se për një Ligj të ri të decentralizimit, nuk është momenti i duhur, sidomos tani kur ka zhvillime të shumta politike me ndryshimet kushtetuese. Kasami dhe Penov firmosën marrëveshje për financim në rrugën e butikëve, e cila duhet të rikonstruohet.
Por, nuk është vetëm Komuna e Tetovës që ka nevojë për decentralizim, sepse edhe Komunat tjera do të kishin qenë më të zhvilluara nëse nuk ishin varur nga Qeveria, tani kemi situatë krejtësisht ndryshe që në pushtetin qendror kemi parti tjera, ndërkaq pushteti lokal është i fituar nga partitë opozitare. Prandaj, krijohen skenarë që Qeveria shkakton ngecje në financimin e projekteve për Komunat vetëm që këto të fundit mos të rezultojnë të suksesshëm në përmbushjen e funksioneve të tyre. Pra, për poena politik se kush po fiton më shumë projektet ngecin, në rast të një decentralizimi të mirëfilltë Komunat do të kishin frymuar më mirë e më ndryshe.
Megjithatë, ka pasur edhe raste të tjera kur pushteti qendror posaçërisht Ministria e Arsimit shpesh herë ka ndërhyrë në pushtetin lokal duke ia marr kompetencat në arsim. Dhe, kjo qasje e ndërhyrjeve të njëpasnjëshme në kompetencat e komunave redukton fuqinë e pushtetit të kryetarëve të Komunave duke i bërë më me pa ndikim. Kjo krejt vetëm për të penguar punën e tyre. Pa çka se për pasojë krijohet kaos në funksionim e komunave askujt nuk i bëhet vonë.
Me rëndësi pushteti qendror me qenë pushtet të shtrirë edhe në pushtetin lokal, si dhe me pas qasje të krijimit të “miteve” që kryetarët e partive janë “kukulla”. Kjo është qasje tërësisht e gabuar dhe nuk pritet asnjë përparim në nivel lokal deri sa të ketë mënyrë të tillë funksionimi. /Zhurnal.mk

