Më së shumti merren kredi konsumatore dhe banesore, rriten saldot negative të kartelave
Shkup, 21 dhjetor – Kreditë e amvisërive në muajin nëntor të këtij viti shënuan rritje prej 0,5% në bazë mujore, e cila kryesisht shpjegohet me rritjen e kreditimit në valutë të huaj, njoftoi Banka Popullore. Në nivel vjetor, kreditë e amvisërive u rritën për 7,5%, nën ndikimin e rritjes së kredive në denarë dhe në valutë, me një kontribut më të theksuar të kredive në valutë.
Në muajin nëntor, sipas qëllimit të kredive të miratuara për personat fizik, kategoritë më të përfaqësuara – kreditë konsumatore dhe banesore, shënuan rritje mujore prej 0.5% dhe 1.1%, ndërsa normat vjetore të rritjes ishin 6.6% dhe 12.9%. Kredia për vetura ka shënuar rritje mujore dhe vjetore prej 6.3% dhe 9.1%.
Kreditë e miratuara me kartela kreditore janë të pandryshuara në baza mujore, ndërsa rritja vjetore është 0,8%. Në muajin nëntor, saldot negative të llogarive rrjedhëse shënuan rritje mujore dhe vjetore prej 2,7% dhe 1,6%, ndërsa kreditë e miratuara mbi baza të tjera u ulën me 1,9% dhe 17,1% në baza mujore dhe vjetore.
Depozitat e amvisërive, nga ana tjetër, kanë mbetur të pandryshuara në bazë mujore në muajin nëntor. Rritja vjetore prej 5,3% është më së shumti rezultat i rritjes së depozitave afatshkurtra në valutë, me një kontribut pozitiv shtesë të parave të depozitave dhe depozitave afatgjata në valutë të huaj, si dhe në kushtet e rënies së depozitave afatgjata dhe afatshkurtra në denarë.

